Të dhënat historike, shumë gjetje arkeologjike dhe 19 monumente kulture evidentojnë se Krahina e Dukatit ka qenë ndër më të zhvilluarat dhe të civilizuarat në Shqipërinë e Jugut. Kjo vërtetohet nga gjetjet në shtatë qytete antike të cilat janë mjaft të pasura me vepra arti, arena, objekte kulti, varre monumentale, etj.
Në zonën e Orikumit ndodhen disa objekte kulti, siç janë:
- Kisha Ortodokse në Lagjen e Thilpat (Dukat),
- Kisha Ortodokse në Orikum,
- Xhamia e Thilpatit në Dukat, e cila sot është pa minare,
- Xhamia e Mazos (sot është krejt e shkatërruar), Xhamia e Gjon Bitit e shkatërruar,
- Teqeja e Sheheve, një Teqe familjare dhe që është jashtë funksionit në lagjen Karroll,
- Vendi i quajtur bregu i Xhamise në Rradhimë,
- Xhamia e Tragjasit të Vjetër.
- Ndërtesë historike e cila ka qenë dhe është muze historik është kulla e Dervish Aliut në Dukat.
Kërkimet arkeologjike kanë qenë të kufizuara në Orikum për shkak të rëndësisë strategjike që paraqet kjo qendër arkeologjike, që në të njëjtën kohë është përdorur (vazhdon të pëdoret edhe në ditët e sotme) si bazë ushtarake detare. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që ndan një lagunë të vogël nga gjiri (Pasha-Liman). Një kanal, tani i shndërruar në një kënetë, lidhte lagunën me detin.