Loading...

“U rrita me tavolinë pune dhe dashurinë për sahatin”, Alban Tufina, një nga sahatçinjtë që po trashëgon tek fëmijët traditën shekullore të familjes

“Kush e mban ende mend, ajo ishte një orë tavoline dhe e kishin pagëzuar si Sahati i tavolinës “Tirana”. Është ora e parë e prodhuar në Shqipëri. Mban datëlindjen 1973 dhe është prodhuar në ish-Uzinën Tirana dhe meritat për këtë i ka një sahatçi nga Tufinët, Bahri Tufina, xhaxhai im që ishte i pari dhe i fundit që realizoi një orë Made in Albania”.

Kështu shprehet për ATSH-në Alban Tufina, djali i Syri Tufinës mes tingujve të akrepave të shumtë të varur në tërë hapësirën e murit në dyqanin “Tufina Servis Orësh”, në rrugën “Hoxha Tahsim”. Aty takojmë Albanin, një burrë rreth të dyzetave, një prej djemve të familjes që vazhdon ende të trashëgojë me pasion zanatin që ka bërë histori në trevat tona që prej viteve 1800. Me një bluzë ngjyrë blu të errët të ndërthurur me një jakë me filetë pak më të hapur, Albani, qëndron i ulur në tavolinën e tij të punës, teksa riparon orët, porositë e marra jo vetëm nga Tirana, por nga i gjithë vendi.

“E kam pasion, nuk ka gjë më të bukur sesa ky zanat dhe deri tani nuk jam mërzitur kurrë që e ushtroj prej vitesh”, shprehet herë pas here Albani, me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë, si një mesazh i këndshëm dhe i qartë i punës, kënaqësia e së cilës, ndonjëherë nuk ka nevojë as për fjalë.

Si një nga sahatçinjtë e familjes Tufina, ai rrëfen për Agjencinë Telegrafike Shqiptare historinë shekullore të këtij zanati dhe biznesi të zhvilluar në Tiranë. Në fillim të viteve 1800, deri në ditët tona, 33 djem dhe një vajzë nga ky fis ndërtuan historinë e kësaj “perandorie” orëndreqësish.

“Unë jam i brezit të pestë të orëndreqësve të familjes “Tufina” e cila ka filluar riparimin e orëve që nga fillimi i viteve 1800. Më parë merreshim me riparime armësh. Që në fillimet e veta, stër-stërgjyshi im, që e thërrisnin ndryshe “Moli’, e nisi punën në mënyrë autodidakte dhe kaloi nga armët, tek pjesa e orëve, fillimisht me orët e mëdha, më pas me orët e tavolinës, ato të dorës, duke ia trashëguar edhe djalit të tij. Në të gjithë këto breza, flas për 5 breza të familjes “Tufina”, orëndreqës kanë qenë 33 çuna dhe një vajzë. Për momentin, jemi 4 që e trashëgojmë traditën, shumë pak ta krahasosh me numrin e mëparshëm që kanë qenë shumë më tepër. Për momentin punoj së bashku me babain. Janë edhe tre djemtë e xhaxhait që merren prapë me këtë punë. Janë dy orëndreqësa dhe një prodhues orësh, që është në Gjermani. Nga familja ime jam vetëm unë”, tregon Albani për ATSH-në.

“Sahati i Tiranës u vu me kujdes nga familja Tufina deri në vitet ’67 dhe më pas e ndërruan dhe vunë mekanizmin me korent kinez”, përsërit Albani mes të tjerash gjatë bisedës.

Albani është babai i dy fëmijëve, i një djali dhe një vajze, të cilëve që herët u ka nisur t’iu mësojë zanatin. Ai thotë se do të kishte dëshirë që edhe vajza të trashëgonte këtë zanat.

“Jam babai i dy fëmijëve, një djali 8 vjeç dhe një vajze 3 vjeçe. Uroj dhe shpresoj që edhe djali im ta vazhdojë si zanat. Mua më ka ushqyer babai im me dëshirën për të dashur këtë zanat, që një ditë të bëhesha orëndreqës. Të njëjtën gjë shoh edhe tek vajza. E shoh që tani që është tre vjeçe që e kap kaçavidën, pincën, që nuk di çfarë të them, perfekte fare. Të mos them më mirë se çuni që është tetë vjeç. Qejfi është që përveç praktikës që mund të mësojë në shtëpi, qejfi është që të shkojë në Gjermani ose në Zvicër për studime, dhe jo thjesht të ketë një diplomë, por t’i bëjë gjërat me bazë, sipas kohës. Është shkollë 3-vjeçare edhe në Gjermani, edhe në Zvicër. Kjo ka qenë ëndrra ime. Por koha, vështirësitë, bënë që të mos e realizoja vetë. Shpresoj shumë që fëmijët të mund ta realizojnë këtë gjë, e të trashëgojnë një zanat kaq shumë të vlefshëm”, tregon Albani për ATSH-në.

“Si mund të thuash, kam lindur me tavolinë pune në shtëpi”, tregon sahatçiu.

“Unë kam lindur në vitin 1980 kur nuk kishte dyqane apo riparime, ishin të gjithë në kooperativë, të gjithë kushërinjtë, xhaxhallarët punonin në kooperativë dhe uzina nga sistemi. Pavarësisht punës që kishin atje, të gjithë kishin në shtëpi një tavolinë pune dhe merrnin porosi tek puna dhe vazhdonin nga shtëpia. Që kur kam lindur, kam lindur me tavolinë pune në shtëpi edhe afrohesha tek babai dhe ai më tregonte procesin e punës. Që 17 vjeç kam hyrë në punë në dyqan, por në shtëpi kam qenë tërë kohës me pinca, e kaçavida. Sot mundohemi t’i përshtatemi edhe kohës. Më parë, orët kanë qenë mekanike, ndërsa tani janë automatike”, vijon rrëfimin e tij Albani për ATSH-në.

Për këdo që e sheh në plan të parë si zanat, duket i vështirë po aq sa edhe i lehtë. Fillimet e Albanit kanë qenë të vështira, por sot ai tregon se falë pasionit të trashëguar, tanimë e bën punën si çdo profesionist në botë, ndonëse këta të fundit, janë të paktë në numër. Mund të numërohen me gishtat e dorës.

“Në fillimet e mia më është dukur shumë i vështirë, ndërsa sot jo. Fakti që e kisha me qejf dhe pasion, më bëri që të ecja përpara. Nëse e ke një gjë me qejf, atë mund ta bësh shumë mirë. Nëse nuk e ke me qejf, mos e bëj fare. Unë kam përfunduar për Veterinari, 5 vjet e gjysmë. Përfitova njohuri patjetër, dhe kjo të duhet në çdo kohë, por gjaku mbeti këtu, tek ky zanat”.

Teksa e sheh duke punuar gjatë një dite të zakonshme pune, në të cilën merret me porositë e klientëve, sahatçiu ynë tregon se kërkesat për të riparuar i ka edhe nga jashtë vendit.

“Nga Shqipëria nuk diskutohet që të kemi porosi, pra nga të gjithë rrethet, sepse njihemi. Edhe ustallarët që janë nëpër rrethe, shumica praktikën dhe zanatin e orëndreqësve e kanë bërë tek familja jonë kur kanë qenë nëpër uzina apo ndërmarrje shtetërore. Tek xhaxhai im çonin studentë, edhe tek djemtë e xhaxhait të babit që të mësonin profesionin. Një gjë ta them me siguri që: shumica e orëndreqësve janë të gjithë të dalë nga instruktorë të familjes tonë, pavarësisht se në atë kohë ishin shtetërore. Kemi klientë nga Shqipëria, por edhe nga ata që jetojnë jashtë. Pra janë jo vetëm shqiptarë, por edhe italianë, gjermanë, nga Europa plot. Klientët besnikë edhe kur vijnë nga Amerika vijnë me qese të mbushura plot me ora dhe vijnë t’i riparojnë tek ne, qoftë për anën ekonomike, qoftë për besimin, sepse e dinë që këtu tek ne nëse bëhet, bëhet, nëse jo, nuk bëhet asgjëkundi tjetër”, tregon Albani.

Albani tregon për ATSH-në se, “fillimet e viteve 1900 kanë qenë kohë të arta për ne, sepse merreshim me tregti me Gjermaninë, Italinë, Zvicrën, jo vetëm ora, por edhe flori dhe syze. Makineria që punojmë akoma sot është makineria që përveç xhamave të orës prodhonin edhe xhamat e syzeve. Ka pasur ekskluzivitetin e xhamave të zinj. Që kur kam qenë i vogël, jam rritur duke dëgjuar historitë për stër-stërgjyshin dhe duke parë babain teksa na edukonte me dashuri për këtë zanat. Isha vetëm 10 vjeç kur më kanë ulur në torno dhe bëja koronat e orëve. Flas në vitet ’90 dhe fitoja 100 lekë, por të fitoje 100 lekë në 1990 nuk ishte pak. Kjo nisi të më joshte akoma më shumë”.

Albani thotë se pas një periudhe të vështirë, tregu tashmë është stabilizuar.

“Pati për njëfarë kohe një rënie, ndërsa ka tre apo katër vite që është goxha mirë. Është mirë tregu, nuk është keq. Fitojmë aq sa të jetojmë mirë e të mos na mungojë asgjë. Unë me punën time jam i kënaqur. Sigurisht që edhe korrektësia dhe ndershmëria janë gjërat kryesore, sepse ka shumë ustallarë që nuk janë korrektë. Mundohem të mos bëhem i varur nga puna, por të koordinoj jetën mes profesionit dhe familjes. Punën e nis çdo mëngjes në orën 09:00 për të përfunduar në orën 5 apo 6 të pasdites, me një pushim të shkurtër dreke. Ndërsa të dielën e bëj pushim, pasi ia dedikoj familjes”, tregon ai.

Mes orëve të shumta të shpërndarë nëpër dyqan dhe tingujve të këndshëm që krijon “Ding-dongu” i tyre, sahatçiu ynë thotë se nuk është mërzitur asnjëherë që ushtron këtë zanat.

“Nëse e ke me qejf një gjë, nëse e bën me pasion, nuk bëhet fjalë, as nuk diskutohet mërzitja. Maksimumi mund të më bezdisë ndonjë klient, por mërzitja nuk ndodh. Nëse mërzitem, ngrihem e marr pak ajër dhe shplodhem dhe nis sërish. Por, të mërzitem me zanatin, nuk më ndodh kurrë”, tregon ai.

Si një zë që tejkalon distancat fizike dhe ato kohore, Albani thotë se kjo traditë e familjes duhet të vazhdojë. “Kjo është tradita e familjes tonë. Pavarësisht se jemi shumë pak, por kjo duhet të vijojë si traditë”, shprehet ai.

Sahatçiu na thotë se ka edhe ora që mbajnë logon “Tufina”. “Ka 7 apo 8 vite që prodhohen në Gjermani, montohen këtu tek ne dhe me logon tonë “Tufina”. Çmimet variojnë nga 150 euro, deri 900 euro. Ka automatike, ka me kurdisje manuale. Ne punojnë me sasi të vogël, thjesht për klientët besnikë apo për të apasionuarit e orëve. Çuni i xhaxhait është në Gjermani dhe ai merret me prodhim orësh dhe shet në të gjithë botën online “Tufina.al” Tufina Watches”, vijon rrëfimin e tij sahatçiu nga Tirana.

Albani shprehet se, “teknologjia avancon dhe çdo ditë mësojmë nga një gjë të re, por them që jam i kënaqur me kaq sa kam bërë, pavarësisht se njeriu kërkon për më tepër. Vazhdoj të marr këshilla nga babai im, por me zhvillimin e teknologjisë edhe unë i jap këshilla babit ndonjëherë. Babai vazhdon ende punon me mua, por vjen vetëm pak orë. Ai sot është 73 vjeç, por zanatin e do sikurse të ishte dita e parë që e nisi”.

Zvicra në vitin 1936 për nder të familjes Tufina prodhoi ora muri dhe tavoline me markën “Vëllezërit Tufina”, – tregon orëndreqësi. Njëra prej këtyre orëve gjendet ende në paradhomën e Presidentit të Republikës, ndërsa ora tjetër në Kryeministri. Ndërkaq një ekzemplar tjetër e posedojnë vetë Tufinët.

“Aktualisht edhe në Kryeministri, edhe në Presidencë janë orët e familjes tonë ‘The grand Father”, ora të mëdha, në këmbë, që janë me logo “Vllazën Tufina Tiranë”, që në fillim të viteve ‘900, firma kineze prodhonte me logon e vëllezërve Tufina në Tiranë”, shprehet ai.

Tufinasit janë tiranas qindravjeçarë dhe historia e familjes së tyre është odiseja treshekullore e orëve në Shqipëri, e cila ende sot mbahet gjallë me po të njëjtin pasion të dikurshëm.

“Ne kemi klientë që nga shtresat më të varfrat, deri tek presidentët. Jo vetëm Presidenti aktual, por të gjithë presidentët. Ministra, deputetë, shefa policie, biznesmenë etj. Të jesh një orëndreqës në botë është vështirë të gjesh një orëndreqës sidomos me ora mekanike. Janë goxha të shtrenjtë, të mirëpaguar dhe ngaqë është zanat i imët dhe shumë i vështirë, do që ta kesh pasion. Po e pate pasion, pse jo të mos përkushtohesh e t’ja dalësh, siç ja ka dalë edhe familja ynë nder shekuj”, përfundon rrëfimin e tij për ATSH-në, Alban Tufina. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com