Loading...

Thaçi pas kthimit nga Haga: Ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi sot se historia e lavdishme e luftës çlirimtare dhe e shtetformimit të Kosovës së pavarur, demokratike dhe evropiane nuk mund të rishkruhet nga askush

Pas paraqitjes para prokurorëve në Dhomat e Specializuara në Hagë, Thaçi tha se kishte përfunduar rreth 30 orë ballafaqim me trupën e organit të akuzës, ku ishte njohur me të gjitha pretendimet e tyre dhe se u kishte dhënë përgjigje pyetjeve të tyre.

Duke mos dhënë të tjera detaje rreth procesit për shkaqe etike dhe të kufizimeve ligjore, Presidenti i Kosovës shprehu bindjen se ky proces, jo vetëm që nuk do ta rishkruajë këtë histori të shkruar me gjakun dhe sakrificën e një populli të tërë në luftën për liri, por , vijoi ai, cilado qoftë rrjedha dhe kohëzgjatja e tij, historia e lavdishme e rezistencës, mbijetesës dhe triumfit mbi një pushtues, që kërkoi të shfaroste popullin shqiptar të Kosovës nga faqja e dheut me fshesën e fashizmit etnik, do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush

“Ky proces i radhës është në vazhdën e 21 vjetëve të akuzave, shpifjeve e fabrikimeve mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe shtet. Por, ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së si një rol i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për lirinë e fituar për të gjitha gjeneratat që do ta gëzojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik”, deklaroi presidenti Thaçi.

Këto përbuzje etnike, keqtrajtimi i shqiptarëve që në barkun e nënës, sjelljet genocidale kundër popullit me të drejtë historike mbi këtë tokë, represioni i kulmuar me spastrim etnik deri në përmasat genocidale, u shpreh Thaçi, do të jenë një prej faqeve më të errëta të së shkuarës, që kurrë më nuk do të mund të rikthehet.

“Unë që pata fatin dhe nderin të kem rol në luftën dhe në rrugën e pavarësisë e të shtetformimit të Kosovës, ndjehem sot edhe më i bindur, edhe më i vendosur sesa përpara këtij ballafaqimi për vlerën e madhe që ka mundimi dhe sakrifica personale për ta çuar deri në fund zbardhjen e kësaj historie 22 vjeçare”, deklaroi Presidenti.

“Një histori e mbushur me lëndime të shkaktuara nga akuzat kundër meje dhe kundër luftës sonë të përbashkët me SHBA-në, me NATO-n, me shtetet e Bashkimit Evropian dhe shtetet mike të tjera, për çlirimin e popullit të Kosovës nga diktatura fashiste e Sllobodan Millosheviqit dhe e shtetit të Serbisë”, e cilësoi Thaçi.

Thaçi u ripërsëriti se Kosova është gjithnjë e para.

“Nëse për Kosovën isha gati të jap jetën kur isha një djalë i ri, sot që jam një prind me thinja nuk kam fare dyshim se detyra ime është ta mbroj Kosovën, duke mos lejuar që procesi ku më kanë përfshirë mua dhe bashkëluftëtarët e mi krejt padrejtësisht, të pengojë punët e mëdha që ka përpara Kosova”, u shpreh ai.

Ai u drejtoi një apel edhe klasës politike në Kosovë që ta vendosin Kosovën mbi dallimet politike partiake, mbi hatërmbetjet dhe pakënaqësitë e përditshme.

“Kosova është një amanet që e kemi nga të parët tanë, nga rilindësit tanë, nga dëshmorët tanë, nga heronjtë tanë, nga Hasan Prishtina, Shota dhe Azemi, nga Adem Jashari, Adem Demaçi dhe Ibrahim Rugova, dhe qindra e mijëra të tjerë të cilët janë engjëjt mbrojtjes të kësaj toke. Kosova është edhe vizion. Është edhe borxhi që ua kemi fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë. Atyre që po rriten në këtë vend dhe atyre që do të lindin dhe jetojnë në këtë tokë që deshën të na e mohojnë, tokë të djegur dhe të përgjakur, ku ne të gjithë së bashku kemi detyrimin të ndërtojmë rrugën e bashkëjetesës demokratike dhe multietnike, tha ai.

Kështu, shprehu besimin ai, e forcojmë demokracinë, rrisim mirëqenien dhe ndërtojmë urat e paqes së qëndrueshme mes vete dhe fqinjëve tanë.

“Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për dialog të civilizuar mes forcave politike, për stabilitet institucional, për qeverisje të mirë dhe unitet qytetar e politik, veçanërisht në dialogun për njohjen e saj përfundimtare nga Serbia dhe nga krejt bota. Kosova sot duhet ta kultivojë shumëllojshmërinë e mendimit dhe të jetojë me debatin e shëndetshëm mes Qeverisë dhe opozitës.

Por, njëkohësisht duhet t’i flasim botës me një zë dhe të zhvillojmë dialogun me Serbinë me një unitet shembullor çfarë e kishim në Rambuje, në Vjenë dhe në Bruksel”, tha presidenti Thaçi.

Unë, vijoi fjalën Thaçi, dje isha një luftëtar në shërbim të Kosovës, ndërsa ju më keni dhënë gjithçka.

“Më keni besuar gjithçka që mund t’i jepet një njeriu në atdheun e tij, nga populli i tij. Unë nuk isha i përkryer, por gjithmonë jam munduar ta bëj më të mirën për atdheun tim dhe për juve.Ju siguroj se do të dal me çdo qelizë time të pastër si loti në fund të këtij rrugëtimi që vazhdon me ju dhe për ju”, dekalroi presidenti i Kosovës, Thaçi./a.gjonaj/.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com