Loading...

SPAK dhe SHÇBA ndalojnë 2 punonjës të Policisë Rrugore për shpërdorim detyre

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të SHÇBA-së, Tiranë finalizuan pas disa muajsh hetime me metoda speciale, operacionin për ndalimin e 2 punonjësve të Policisë Rrugore.

Sipas Policisë së Shtetit, punonjësit H.Z me detyrë oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë dhe L.D me detyrë shef seksioni për Verifikimin e Shkeljeve Administrative u ndaluan për veprat penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojne funksione publike” dhe “shpërdorim i detyrës, kryer në bashkëpunim”, për punonjësit e Policisë.

“Nga hetimet e deritanishme është e provuar dhe dokumentuar procedurialisht se dy punonjësit, gjatë ushtrimit të detyrës në këmbim të dorëzimit të automjetit në pronësi të një shtetaseje të sekuestruar në cilësinë e provës materiale për një ngjarje ndodhur në shtator 2019, i kanë kërkuar përfitime të jashtëligjshme në formë rryshfeti dhe favore seksuale”, bën të ditur Policia.

Ndër të tjera, Policia bën të ditur se janë siguruar prova se me veprimet dhe mosveprimet me dashje, në një periudhe kohore relativisht të gjatë, kanë zvarritur procedurat ligjore të dorëzimit të automjetit me qëllim përfitimin e favoreve të mësipërme, duke konsumuar elementë të shpërdorimit të detyrës dhe të korrupsionit pasiv.

SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com