Loading...

“Shqipëria, pishtar tolerance për hebrenjtë”/ Ambasadori izraelit: Vend i vogël që shëmbëllen vlerat e njerëzimit

“Në qoftë se durojmë gjithë këtë vuajtje, në qoftë se kur kjo të përfundojë do të ketë sërish hebrenj të mbetur, atëherë ata në vend që të jenë të dënuar, do të mbahen si shembull”.

Me këto fjalë të Ana Frank, e nisi fjalimin e tij ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gendler, në ceremoninë e përurimit të Memorialit të Holokaustit në Tiranë, ku ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri.

“Jemi këtu për të ndarë mesazhin e paqes e të tolerancës, duke dëshmuar dhe duke kujtuar veprat më mizore të njeriut dhe të ideologjisë së errët. Do të doja të falenderoja SHBA-në, gjithmonë si një vend udhëheqës që përherë i nis këto veprimtari përkujtuese dhe ofron vlera edukuese për brezat e ardhshëm”, – tha ambasadori Gendler.

Duke e cilësuar një moment kuptimplotë, ambasadori izraelit përgëzoi bashkinë e Tiranës që sipas tij “na ka dhënë një vendndodhje kaq të shkëlqyer, ku mund të vijnë kaq shumë vizitorë të parkut të Tiranës”.

“Sot ne manifestojmë mirënjohjen e hebrenjve për veprën kurajoze të popullit shqiptar gjatë holokaustit. Një akt i shkëlqyer nga një vend i vogël që shëmbëllen vlerat e njerëzimit, sakrificën dhe dashurinë. Vlera që ende vijojnë të jenë të qenësishme në Shqipëri”, – tha ai duke shtuar se këtë e pamë edhe gjatë pandemisë kur Shqipëria dërgoi mjekë në Itali.

Ambasadori izarelit tha se “për ne hebrenjtë Shqipëria do të shërbejë gjithmonë si një simbol fisnikërie, pishtar tolerance, si njerëz mikpritës, me sjellje shembullore njerëzore. Nëse shumë kombe do të mësonin këtë pjesë të historisë së Shqipërisë, kjo do të ishte e shkëlqyer”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com