Deri tani rezultojnë rreth 3400 pasuri të verifikuara dhe për të cilat është plotësuar dokumentacioni sa i përket regjistrimit të pronave në jug.
Kadastra Shqiptare njoftoi sot se, “procesi i regjistrimit fillestar në Zonat Kadastrale të Jugut vijon me sukses. Në të tre zyrat e hapura nga Kadastra Shqiptare në Dhërmi, Himarë dhe Lukovë, çdo ditë paraqiten qytetarë që dëshirojnë të informohen rreth dokumentacionit të nevojshëm, si edhe për t’u konsultuar për problematika të mbartura të pronave të tyre”.
“Nga ana tjetër, ekipet e Kadastrës çdo ditë vijojnë matjet në terren për çdo pasuri të veçantë toka, kullota, banesa, etj. Deri tani rezultojnë rreth 3400 pasuri të verifikuara dhe për të cilat është plotësuar dokumentacioni”, thekson Kadastra Shqiptare.
“Meqenëse tashmë kemi krijuar një bazë të madhe të dhënash, të siguruar nga puna në terren, jemi në gjendje të planifikojmë me siguri hapat e mëtejshëm të këtij procesi. Në lidhje me qytetarët, gjeja më e rëndësishme është data se deri kur ata mund të paraqesin dokumentacionin që zotërojnë lidhur me pronat e tyre”, thekson Kadastra Shqiptare.
Kadastra bën të ditur se, “qytetarët kanë kohë deri në momentin e fillimit të afishimit publik, të depozitojnë dokumentacion që ata mendojnë se mund të jetë i nevojshëm në përcaktimin e pronave të tyre”.
“Në disa raste, gjatë kontakteve derë më derë në fshatrat e Bregut, qytetarë të ndryshëm kanë shprehur shqetësimin e tyre që, një pjesë e pronarëve momentalisht nuk gjenden në Shqipëri, pasi janë jashtë atdheut, kryesisht për arsye emigracioni. Në këto kushte, megjithë avancimin e punës tonë, kemi gjykuar që në raste të veçanta të mundësojmë shtyrjen e këtyre afateve, deri në kthimin e këtyre qytetarëve për pushimet tradicionale gjatë muajit gusht”, thekson Kadastra.
Kadastra fton qytetarët që ta mbështesin si deri më sot këtë proces, që mund të përfundojë veç me bashkëpunim.
Kadastra ka paraqitur edhe grafikun e fillimit të afishimit publik të materialit të hartuar nga Kadastra për konsultim publik për t’iu dhënë mundësi qytetarëve të shprehin ankesat e tyre rreth punës së bërë.
2863 Palasë Blloku 1, Java III Dhjetor 2020 Blloku 2, Java II Prill 2021
1739 Gjilekë Blloku 1, Java II Gusht 2020 Blloku 3, Java III Janar 2021
1481 Dhërmi Blloku 1, Java II Tetor 2020 Blloku 3, Java III Shkurt 2021
1982 Ilias Blloku 1, Java I Dhjetor 2020 Blloku 1, Java III Janar 2021
3844 Vuno Blloku 1, Java II Dhjetor 2020 Blloku 2, Java II Prill 2021
1952 Himarë Blloku 1, Java V Shtator 2020 Blloku 4, Java III Shkurt 2021
2518 Lukovë Blloku 1, Java III Shtator 2020 Blloku 3, Java III Shkurt 2021
2806 Nivicë Blloku 1, Java I Janar 2021 Blloku 2, Java III Prill 2021/atsh