Kryeministri Edi Rama u bëri apel sot qytetarëve që të përdorin maskën kur hyjnë në ambiente të mbyllura, si masë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
“Mirëmëngjes dhe duke ju kujtuar të mos harroni maskën në mjediset e mbyllura, ju uroj një të premte të mbarë”, tha Rama.
Edhe ditën e djeshme, në një aktivitet nga Bovilla lidhur me dyfishimin e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e Tiranës, Kryeministri Rama tha fillimisht se është shumë e rëndësishme që maska të vendoset për të mbrojtur veten dhe të tjerët.
“Po ashtu shumë e rëndësishme është që secili të mos e humbasë vëmendjen nga numrat që shikoni. Ishte e pritshme, po rriten, por ndërkohë ajo që është fare e qartë është që në kushtet e reja të krijuara ose do mësohemi të bashkëjetojmë me këtë armik të padukshëm që e kemi mes nesh, ose do të biem viktima të budallallëkut tonë. Dhe luftën me budallallëkun duhet ta bëjë secili. Qeveria dhe shteti ka bërë dhe do të bëjë maksimumin, por në luftën me budallallëkun është individi, secili prej nesh, që do të japë kontributin e tij, nëse nuk do të bjerë viktimë e budallallëkut të tij. Një shprehje thotë se virusi nuk ka këmbë, por përdor budallallëkun”, tha Rama dje. /atsh