Loading...

Protestuan për mbylljen e lokaleve të natës, policia procedon 12 persona

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 12 shtetas pasi organizuan një ditë më parë grumbullim dhe manifestim të paligjshëm.

Në njoftimin për shtyp, policia bën të ditur se 12 të ndaluarit, persona të identifikuar si organizatorë të këtij manifestimi të paligjshëm akuzohen për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Gjatë zhvillimit të tubimit, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tij.

Më pas, Policia shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 12 persona, si organizatorë të tubimit tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente.

Ata protestuan lidhur me vendimin e qeverisë për mbylljen e lokaleve të natës në kuadër të parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Policia sqaron se materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të 12 personave të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të respektojnë distancimin social dhe të përdorin mjetet mbrojtëse në vendet publike, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, ndërsa problematikën apo shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com