Mjeku Hysni Shkjau ka humbur betejën me koronavirusin, pas disa ditësh “luftë” në spitalin Infektiv ku ishte i shtruar.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njofton me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta këtë mëngjes të dr. Hysni Shkjaut, i cili nuk e fitoi dot betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të stafit të infektivit për kolegun e tyre.
“Dr. Hysni Shkjau, 69-vjeçar, me 40 vite eksperiencë, nuk e kishte ndërprerë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës. Luftonte prej disa ditësh me COVID-19 në spitalin infektiv dhe gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve. “Është një humbje e madhe për sistemin shëndetësor, humbja e një mjeku që i ka shërbyer me përkushtim e profesionalizëm për 40 vite komunitetit të tij”, thekson Ministria e Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë i rikujton qytetarëve të mos e ulin vëmendjen për zbatimin e rregullave, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm që prek këdo, pa dallim./atsh