Pas laboratorit të referencës në Institutin e Shëndetit Publik, testimet molekulare për identifikimin e COVID-19, që nga dita e djeshme kryhen edhe në QSUT.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka theksuar se rritja e numrit të të prekurve ka bërë që të zgjerohet edhe kapacitetet e testimit me cilësi dhe siguri për identifikimin e rasteve pozitivë me COVID-19.
Ajo ka publikuar pamje nga ambientet e brendshme ku kryhen testimet për rastet e dyshuara me koronavirus.
‘Zgjerojmë kapacitetet e testimit, me cilësi dhe siguri për identifikimin e të prekurve nga COVID-19, me hapjen e laboratorit të dytë në QSUT, staf i kualifikuar dhe laborator i çertifikuar”, shprehet ministrja.
Manastirliu ka apeluar që të mbështesim stafet mjekësore, të mbrojmë veten dhe njerëzit e dashur, duke zbatuar tre rregulla të thjeshta, çdo ditë, vendosjen e maskës, ruajtjen e distancës dhe kujdesin për higjienën vetjake dhe kolektive./atsh