Opozita parlamentare është larguar nga seanca e Kuvendit pas fjalës së kreut të grupit parlamentar demokrat, Myslim Murrizi, i cili deklaroi se opozita parlamentare nuk do ta votojë marrëveshjen për Reformën Zgjedhore pa lista të hapura. Sipas tij, opozita në Kuvend kërkon zbatimin e çdo pike të kërkesave të OSBE/ODIHR-it.
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Myslim Murrizi duke marrë fjalën pas kryetarit t♪7 grupit parlamentar socialist, Taulant Balla reagoi duke thënë se nëse mazhoranca ka hapur ankandin për të joshur, intimiduar deputetët, atëherë duhet t’i harrojë 84 votat për marrëveshjen e Reformës Zgjedhore të Këshillit Politik.
Sipas Murrizit, Partia Socialiste po kërkon të jetë e mirë me të dyja palët, dhe me opozitën jashtë Kuvendit dhe me atë brenda në kuvend, por marrëveshja mes një deputeti dhe dy qytetarëve nuk mund t’i imponohet marrëveshjes brenda Kuvendit, ndërsa nënvizoi se opozita parlamentare nuk do e votojë marrëveshjen për Zgjedhoren pa lista të hapura.
”Ne si opozitë kemi bërë një kërkesë të ligjshme në mënyrë institucionale. Në 2008 me hile u hoqët të drejtën e votës shqiptarëve. Këtej bëni marrëveshje me kë t’iu dojë qejfi. Hajde të shkojmë në referendum. Një marrëveshje e ndërtuar mes një deputeti të mazhorancës, dhe dy qytetarëve s’mund të detyrojë opozitën parlamentare”, – tha Murrizi.
“Ne kemi kërkuar lista të hapura, kombëtare, dhe votim 100% pa asnjë ndryshim të rekomandimeve të OSBE. Kemi kërkuar të ketë prag zgjedhor, që askush mos hipë në kurriz të kurrkujt. Të numërohen votat jo nga militantë, jo nga tre parti, pasi 74 të tjerat pse duhet të kenë besim tek ju”, tha Murrizi.
Fatjona Dhimitri nga grupi Demokrat dhe Kostaq Papa ishin dy deputetët që nuk u larguan me pjesën tjetër të kolegëve të opozitës parlamentare duke mbajtur fjalën e tyre pas largimit të pjesës tjetër të opozitarëve.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi menjëherë, duke theksuar se mazhoranca nuk do bjerë pre e presioneve por do vijojë me negociata. Ai sqaroi po ashtu se PS i do listat e hapura, por nga ana tjetër sqaroi se nuk mund të preket marrëveshja e 5 qershorit. Ai tha se opozita parlamentare po bën presion për të mos u votuar marrëveshja e 5 qershorit, ndërsa ajo jashtë (PD) që të votohet.
“Në emër të shumicës më lejoni të shpreh disa konsiderata, jemi kthyer si para 18 muajsh ku Saliu i pari, Luli e Monika largoheshin në mënyrë të shpeshtë nga Kuvendi për të kushtëzuar votën e tyre sa i përket reformës në drejtësi. Unë gjithmonë e kam mbështetur dhe falenderuar opozitën parlamentare se e ka mbështetur reformën”, u shpreh Balla.
“Realisht nuk i kuptoj çfarë kërkojnë me këtë largim për aq kohë sa këta bëjnë presion duke ikur, Luli nga jashtë bën presion për të votuar marrëveshjen. Luli do takim jashtë, këta brenda. Mirë mo, po kjo partia që përfaqësoj unë, ka ndonjë të drejtë? Ju kërkoni lista të hapura, ne ua kemi thënë që për ne s’janë tabu, mund të hapen, por ka disa rregulla, norma, kushte bashkëshoqëruese, nëse ky sistem është siç është, prandaj nëse hapen listat, fleta e votimit bëhet një libër me 100 faqe. Këto janë të ndërlidhura, ju vini kushte duke ikur, ata kushte duke bërtitur, ju kushte për të mos votuar një marrëveshje që bie dakord, që nuk është më e mira, por kush mendon që na bën presion apo ju që ikët për marrëveshjen, apo për marrëveshje me ju, ta harroni, ne nga bojkoti nuk surprizohemi”, – tha Balla.
Ne do të vijojmë komunikimin te ‘Ligjet’ për një hapje të listave, jo të plotë, si një hap të parë. Për mua kur bëhet fjalë për lista të hapura më e rëndësishme është barazia gjinore. Temat që s’prekin marrëveshjen e 5 qershorit jemi të gatshme t’i negociojmë. Thirrja ime është që opozita parlamentare të rikthehet, e mirëkuptoj arsyen si një presion që shumica nuk i ka mundësitë ta kalojë e vetme marrëveshjen. Për ne listat e hapura nuk janë tabu, por të gjejmë të gjitha modalitetet, të shkojë në dobi të procesit transparent”, – tha Balla. /atsh