Në zonën e pallateve në Unazën e Re në kryeqytet, ndodhet një atelie e vogël, rrobaqepësie. Aty janë të punësuara dy gra, përfshirë edhe pronaren. Ato presin, qepin, qëndisin e mundohen të bëjnë modë sipas kërkesave të klientëve, konceptit të tyre, por edhe tendencave të fundit.
Afërdita Dule nuk është shefe e punishtes, por rrobaqepësja që ideon, skicon dhe që prej 7 vitesh punon tek “Reti Collection” duke ushtruar një profesion që i pëlqen dhe e bën me pasion. Por historia e Afërditës është krejt e veçantë.
Ajo tregon për Agjencinë Telegrafike Shqiptare që dhuntinë e saj e zbuloi që e vogël, e rritur në një familje të kulturuar shkodrane dhe në gjendje të mirë ekonomike.
Pasioni i saj për të qepur e prerë nuk ka ardhur duke u zbehur me kohën, por sipas Afërditës, çdo ditë i duket sikur po merr porosinë e parë, ku nga ai moment kanë kaluar 38 vjet.
“Kam një pasion që pavarësisht se janë punonjëse, unë e bëj punën sikur ta kem dyqanin tim. Kam mbaruar shkollën për konfeksione në Shkodër, për rrobaqepësi. Kam qenë me të gjitha 10-ta, e para shkollës gjithmonë si në 8-vjeçare si në shkollën e mesme. Unë jam rritur në një familje me shumë kulturë, të shkolluar. Babai im ka qenë ekonomist. Jemi rritur me një kulturë të jashtëzakonshme, rrethi familjar i babait kanë qenë intelektualë. Jam rritur në një familje të lumtur në Shkodër, familje model që ma merr mendja që nuk mund të ketë, me një kulturë të jashtëzakonshme të babait dhe mamasë, të cilët na edukuan për ndershmëri dhe pasionin ndaj të lexuarit. Jam rritur me libra, me pasion për artin, pikturën dhe këngën. Si më e madhja e fëmijëve, pas vdekjes së gjyshes, m’u desh që të merresha më shumë me shtëpinë, po ashtu edhe me motrën dhe vëllain që ishin të vegjël. Për shkak se u fejova e vogël, ende pa mbushur 18 vjeç, m’u desh që të hiqja dorë nga ëndrrat e mia për të vazhduar shkollën, edhe pse isha me të gjitha 10-ta”.
Prej tridhjetë e tetë vitesh, ajo gdhihet dhe ngryset mes copave, mes metrazheve e makinës qepëse.
“Pasionin për rrobaqepësinë e kuptova që herët, qëkur bëja rroba për kukullat. Copat nuk më mungonin asnjëherë sepse na vinin nga Ulqini që para viteve ’90. Ne ishim fëmijët më të veshur në Shkodër. Unë shkoja tek rrobaqepëset më të mira në Shkodër, që kur isha e vogël për të qepur rroba sepse ishim në gjendje të mirë ekonomike. Kam pasur një gjysh që ka ditur 5 gjuhë të huaja sepse ka qenë detar. Deri në 1964, gjyshi im ka punuar me anije, ka transportuar mallra në Itali, Serbi e shumë vende të tjera. Kështu që jam rritur në kulturën dhe edukatën e tyre. Pas fejesës nuk mund ta vazhdoja dot shkollën. Më pas kur linda vajzën, nisa të qep për vajzën time të gjitha rrobat me dorë pasi tek familja e re nuk ishim në gjendje shumë të mirë ekonomike. Nisa të punoja në shtëpi, më vinin porosi edhe nga të tjerë dhe nuk u thoja jo. Kurrë nuk kam thënë nuk di, as sot nuk di të them jo nëse me vjen një porosi. Isha vetëm 18 vjeç kur nisa të punoja me porosi. Punoja 22 orë. Kur kisha vajzën vetëm 2 vjeçe, babai im shkoi në Jugosllavi në kohën e partisë së punës dhe më pyeti çfarë doja që të më sillte prej andej. I kërkova një makinë qepëse. Ka qenë makina e parë në Shkodër me korent “bagat’. Pas 1990-ës kam punuar aq shumë sa çdo personi i kam thënë po, mund ta bëj. Edhe në atë kohën kur ishte bosh tregu, unë kam furnizuar tregu, kam fituar nga 1 milion e gjysmë duke punuar tërë natën. Kam punuar për tërë Shkodrën, nga gra pedagogësh deri tek shtresat më në nevojë. Stilimi i rrobave është art. Skicimet i bëj në mendje, nuk kam nevojë për laps e letër. Kostume, fustane fëmijësh, xhupa burrash gra e fëmijë. Kam bërë xhupa për të gjithë mjekët e Shkodrës”, rrëfen ajo.
Afërdita i referohet edhe internetit për të parë modelet e reja, trendet e fundit ndërsa skicimet nuk i hedh asnjëherë në letër, por është mësuar të ideojë në mendje gjithçka. Shumë klientë kërkojnë imitime të fustaneve, xhaketave, pantallonave të brendeve ndërkombëtare si “Dolce Gabbana”, Versace, Valentino, Max Mara apo stilistë të tjerë të famshëm, tepër të shtrenjtë për standardin shqiptar.
“Mua më pëlqen më shumë të pres xhaketa, kostume, fustane, këshilla, pantallona. Mund të them që nuk kam një sektor që preferoj më shumë, mjafton që ta bëj shumë mirë porosinë e klientit dhe ndjej kënaqësi të veçantë”.
Afërdita rrëfen për ATSH-në se ka një moto të veçantë që thotë: Vip është çdo person që hyn në dyqan. Mëgjithëse nuk mohon se ka marrë porosi edhe nga këngëtarë të famshëm shqiptarë mes të cilëve Arilena Ara.
“Kam punuar me çdo lloj shtrese, të pasur, të varfër, të kulturuar apo personazhe të njohur në Shqipëri. Për ne, vip është çdo person që hyn në dyqanin tonë. Kemi marrë porosi edhe nga Arilena Ara. Stilimin e kam thjesht pasion, dhunti nga i madhi Zot, por çdo ditë mësoj gjëra të reja”.
Afërdita tregon se qëndrojnë gjithë ditën në krye të detyrës me dy orë pushim në drekë.
“E hapim në mëngjes në orën 07:30 dhe e mbyllim në darkë në orën 20:00. Kemi shumë punë por në drekë shkëputemi dy orë për të ngrënë dhe për t’u çlodhur”, tregon Afërdita.
Klientët e saj thonë që është e veçantë, jo vetëm për shkak të çmimeve dhe dashamirësinë e saj, por edhe sepse pak kush mund ta besojë, pasi Afërdita të përfundon porosinë me sy ku ndonjëherë edhe përmasat i gjen të sakta sapo sheh klientin. Në këtë atelie vijnë adoleshente, të reja, por edhe gra në moshë. Qepin e presin fustane, pantallona, kostume, këmisha. Të dyja gratë mundohen t’u plotësojnë kërkesat duke iu përshtatur çdo preference të klientit.
“Jam e kënaqur me punën, e bëj me dëshirë. Edhe sikur të më jepnin rrogë më të lartë, nuk do të largohesha sepse jemi në një mendje me shefen, ideojmë të dyja së bashku dhe çdo gjë na shkon mbarë. Jam e martuar e kam dy fëmijë të rritur tani, të shkolluar jashtë vendit pasi kam punuar shumë për ta. Shpesh edhe ata më sjellin shoqet që t’u qep fustane”, – thotë 56-vjeçarja.
Afërdita ëndërronte të vazhdonte studimet për arkitekturë ndërsa ende sot vijon të ushtrojë edhe pasionin e të pikturuarit gjatë kohës së lirë për t’u relaksuar.
Në mes të qëndismave, penjve, por edhe porosive të pafundme, një gjë e dimë tashmë…në duart e Afërditës jemi të sigurt!/atsh