Të hënën në ora 11:00 pritet të mbahet mbledhja e tryezës së Këshillit Politik me temë diskutimi ndryshimet e miratuara nga Komisioni i Ligjeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Fillimisht ishte Damian Gjiknuri ai që u dërgoi një e-mail anëtarëve të tjerë të Këshillit Politik duke propozuar mbajtjen e një mbledhjeje të hënën ose të martën.
“Duke ndjekur deklarimet e opozitës jashtëparlamentare në lidhje me procesin e shqyrtimit nga Kuvendi të propozimit të deputetëve të opozitës parlamentare, për ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me vullnetin për të ballafaquar pikëpamjet tona përmes dialogut konstruktiv, ju propozoj mbledhjen ditën e hënë apo të martë (përkatësisht në 20 ose 21 korrik, sipas disponimit tuaj), ora 11:00, të një tryeze të Këshillit Politik me temë diskutimi ndryshimet e miratuara nga Komisioni i Ligjeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Gjiknuri.
Më pas ka ardhur edhe përgjigja nga përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, teksa përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, konfirmuan pjesëmarrjen në Këshillin Politik.
“Në emër të opozitës, mirëpresim reflektimin tuaj për të vijuar diskutimin dhe vendimmarrjen konsensuale në Këshillin Politik për çdo çështje lidhur me zgjedhjet, siç kemi rënë dakord me shkrim në Marrëveshjen Politike të 14 Janarit dhe Dakordësinë e 5 Qershorit. Paraprakisht ju konfirmojmë se dokumenti i depozituar nga një grup deputetësh të mazhorancës dhe që përmban produktin e dakordësuar në Tryezën e Këshillit Politik duhet të miratohet sa më parë dhe pa asnjë ndryshim, dhe për këtë arsye, nuk mund të rihapet asnjë çështje që është dakordësuar aty”, u shprehën përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare./atsh