Loading...

Ndahet nga jeta prof. Grigor Zoraqi, “mjeshtri” i analizave të ADN

Profesor Grigor Zoraqi, bashkëpunëtor dhe anëtar i “Njësisë së Bioteknologjisë dhe Gjenetikës” pranë Akademisë së Shkencave, “mjeshtri” i analizave të ADN u nda sot papritur nga jeta.

Lajmi u bë i ditur nga Akademia e Shkencave, e cila thekson se “ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe jo vetëm për njerëzit e dashur të familjes, për Akademinë e Shkencave dhe të gjithë bashkëpunëtorët dhe shkencën shqiptare”.

Grigor Zoraqi lindi dhe u rrit në Tiranë në një familje me tradita dhe vlera të veçanta kulturore. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” duke u dalluar si një nga nxënësit më të shkëlqyer që ka patur historikisht kjo shkollë.

Studimet universitare i kreu në Universitetin “LA Sapienza” në Romë Itali në vitet 1979-1985 ku u dallua për rezultatet e larta në përgatitjen e tij shkencore. Pas kthimit në Shqipëri punoi si pedagog i Gjenetikës pranë Fakultetit të Veterinarisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës, ku mbrojti me sukses me 1991 titullin “Kandidat i Shkencave” njohur më vonë Doktor i Shkencave.

Në fillim të viteve ’90 largohet përsëri në Itali ku punon si kërkues shkencor në disa institucione të rëndësishme hkencore si Departamenti i Mjekësisë Eksperimentale dhe Patologjisë së Përgjithshme të Universitetit “La Sapienza” të Romës, Instituti i Teknologjisë Biomjekesore, në disa laboratorë të Qendrës Kombëtare të Sëmundjeve Gjenetike në Itali etj duke fituar një përvojë të çmuar në kërkimin shkencor.

Me kthimin në Shqipëri duke filluar nga viti 2004 Grigori punoi si drejtues i Qendrës së Diagnostikës Molekulare dhe Kërkimeve Gjenetike pranë spitalit “Mbretëresha Geraldinë”.

Ndërkohë, Grigori ka dhënë një kontribut të shquar edhe si pedagog i jashtëm prane Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.

Me formimin e tij shkencor ai është ndër gjenetistët me kontribut të veçantë në Shqiperi, si autor i një numri të madh artikujsh dhe punimesh shkencore të botuara në revistat më të mira shkencore, pjesëmarrës i përhershëm në shume kongrese dhe konferenca shkencore Kombëtare dhe Ndërkombëtare.

Nga viti 2007, Grigori bëhet anëtar i bordit botues të revistës shkencore “Balcan Journal of Medical Genetics”.

Hartues i shumë projekteve kërkimore me vlerë Kombëtare për parandalimin e disa sëmundjeve të trashëgueshme në vendin tonë, disa prej të cilëve ende në përpunim e sipër. Me përvojën e fituar, me cilësinë e punës së tij kërkimore dhe saktësinë e rezultateve të tij pa dyshim Grigori quhej “mjeshtri” i analizave të ADN-së në nivelin molekular.

Këtë e kanë provuar nga afër të gjithe studentët që kanë përgatitur punimet e tyre në nivelin “Master” si dhe ata të cilët Grigori i ka udhëhequr për fitimin e gradës shkencore “Doktor i Shkencave”. Veprimtaria e tij intensive shkencore e ndërprerë pa pritur do të mbetet gjithnjë si shembull për të gjithë./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com