Loading...

Mos thuaj që isha në Vlorë nëse nuk shkon në Llogora

Të shkosh në plazhet e gjirit të Vlorës nga Uji i ftohtë e deri në Orikum dhe të mos lësh një pjesë nga koha jote për në Llogara, mos thuaj që isha në Vlorë. Një vakt në Llogara, mëngjes apo drekë, është një kënaqësi mbresëlënëse. Ushqimet blegtorale bio këtu janë fantastike, ose, ndoshta kështu të duket mes freskisë së pishave, që nga mishi i pjekur në hell, nga djathi, gjiza, salca e lëkurës e deri te arapashi, gatim tradicional i zonës me të përbrendshmet e qengjit, miell misri dhe gjalpë.

Kënaqësia tjetër më e madhe, është rruga që mbi Dukat e deri në qafë sipër, ku duket Riviera, fshatrat e Himarës, Korfuzi dhe brigjet e Jonit.

E shijon këtë mrekulli me makinë, natyrisht duke ecur ngadalë, por edhe duke zbritur here pas here nga makina për të marrë një dorë çaj apo rigon mali, apo për të soditur pishat, që për shkak të erës, i ngjajnë një flamuri të shpalosur, dhe bash për këtë ato quhen pisha flamur.

Në qoftë se je i ngeshëm dhe kurioz mund të hysh thellë në pyll dhe të relaksohesh me pamjet e mrekullueshme dhe bimësinë që gjen atje.

Llogaraja është shfrytëzuar si vend pushimi që në periudhën komuniste. Këtu ishin ndërtuar kampe pushimi për punonjësit dhe për fëmijët.

Tani aty është krijuar një fshat i bukur turistik me hotele, motele, restorante dhe mjedise argëtuese çlodhëse dhe argëtuese. Vegjetacioni i dendur dhe klima e freskët në verë dhe e ashpër në dimër, me mundësi shfrytëzimi për lojëra dimërore, shto këtu edhe rrugën që shkon nga Tirana për në Sarandë e bëjnë këtë vend nga më të vizitueshmit në Shqipëri.

Fshati turistik

Fshati Turistik Llogora ndodhet në zemër të Parkut Kombëtar Llogora. Ajo ka një sipërfaqe prej 1.2 ha. Në brendësi të saj ndodhen 16 vila druri, hotel 4 katësh me pishinë të brendshme, Beer Club, Tavernë, Restorant, Bar, fushë basketbolli, sallë konferencash dhe dy salla të vogla të cilat mund të përdoren për festa të vogla familjare ose mbledhje.

Në stinën e verës kur temperaturat janë të larta në qytetet e tjera të Shqipërisë, në Llogora temperatura gjatë ditës është 10 gradë Celcius më e ulët, ndërsa gjatë natës arrin 10-12 gradë Celcius. Kjo ju jep një freski gjatë gjithë ditës dhe një gjumë te ëmbël gjatë natës. Ndërsa në periudhën e dimrit Fshati Turistik Llogora mbulohet nga dëbora. Në brendësi të territorit shëtisin të lirë drerë dhe sorkadhe të cilët i bëjnë pushimet në këtë vend akoma më magjike.

Në raste festash, Fshati Turistik Llogora organizon mbrëmje argëtuese me muzike live, darka speciale dhe surpriza te tjera.

Fshati Turistik Llogora ofron mundësi argëtimi për të gjitha moshat, duke filluar që nga pishina, që ndodhet në brendësi të hotelit dhe është funksionale gjatë gjithë vitit, një fushe basketbolli, bilardo, ping-pong, table-soccer, mjetet e nevojshme për trecking (ecje në mal) etj.

Gjithashtu, sipas dëshirës, në dispozicionin të turistëve ka udhërrëfyes që shoqërojnë në zonat më të bukura të parkut kombëtar Llogora si: Pllaja e Jul Cezarit, Pisha Flamur, shpella të zonës, në Dukat etj.

Në Fshatin Turistik Llogora ndodhen tri salla konferencash me kapacitete përkatësisht 160, 30 dhe 20 persona, të cilat mund të përdoren për konferenca, seminare, trajnime, mbledhje biznesi, etj. Këto salla janë të pajisura me të gjitha sistemet bashkëkohore audio dhe vizive.

Llogara-Dukat, Orikum-Karaburun: një zonë, dy ekosisteme

Një nga qendrat më të mëdha në këtë zonë ka qenë dhe është Orikumi, që shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që ndan një lagunë të vogël nga gjiri (Pasha-Liman). Një kanal, tani i shndërruar në një kënetë lidhte lagunën me detin. Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme. Sot ai është kthyer në një qytet modern, që merr më shumë rëndësi dhe gjallëri në nerv me vërshimin e turistëve të shumtë vendës dhe të huaj. Orikumi ka akoma mundësi dhe resurse të tjera turistike të pashfrytëzuara. Ende një pjesë e tij, më e bukura, mbahet nga repartet ushtarake në një vijë të gjatë bregdetare.

Por Orikumin nuk duhet ta marrësh të shkëputur nga e gjithë zona për rreth që fillon nga Lugina e Llogarasë deri në Pashaliman (tek Gjiri i Bristanit) duke u kufizuar me Gadishullin e Karaburunit, me luginën e Llogarasë dhe Dukatit fushë duke përfunduar me lagunën e Orikumit. E vendosur midis Parkut Kombëtar Llogara dhe Rezervatit Natyror të Menaxhuar Karaburun kjo zonë shërben si një urë lidhëse midis dy ekosistemeve natyrore, dhe është pjesë e pandarë natyrale e tyre.

Çuditë natyrore të portës së Rivierës Shqiptare

Parku Kombëtar i Llogarasë gjendet në juglindje të qytetit të Orikumit dhe 37 km larg qytetit të Vlorës. Ai përmbledh një sipërfaqe prej 1,010 ha. Ajri i freskët e i shëndetshëm, pamja e mrekullueshme e drurëve halorë,fshati turistik dhe ujët e ftohtë që burojnë nga brendësia e maleve i japin këtij parku vlera turistike e kombëtare. Nga të huaj e vendas cilësohet si një nga vendet më të bukura të Rivierës Shqiptare. Parku i Llogarasë përbëhet nga dru halore, pisha e zezë, bredhi, lisi, mëllenja e butë e robulli. Ështe shpallur monument natyror dhe kulturor në vitin 1966, po në atë vit ka marrë dhe statusin e parkut kombëtar. Prej disa vitesh në park funksionojnë një sërë objektesh turistike si hotele të vegjël, restorante, bare të hapura në natyre, etj., të cilët kënaqin kërkesat e turistëve dhe udhëtarëve.

Tri gjëra që nuk duhet të lësh pa parë dhe pa shijuar në Llogara

Pisha flamur

col3Te kilometri 31 i rrugës Sarandë-Vlorë, në dalje të Parkut, në të djathtë të rrugës kryesore, ndodhet Pisha Flamur, që është shpallur Monument Natyre dhe që është lehtësisht e dallueshme.

Ajo ndodhet në lartësinë 910 m mbi nivelin e detit, ka një moshë mbi 100 vjeçare dhe mbart vlera unikale, si vepër artistike e erërave të Jugut. Pisha i përket llojit Pinus nigera. Ka formën e flamurit si rezultat i veprimit të erërave të forta të juglindjes. Është e gjatë 20 m, ka perimetër 3.30 m, diametri maksimal 75 cm, ka moshë rreth 100 vjeçare. Ky monument ka vlera shkencore, biologjike, estetike dhe turistike. Disa degë po thahen nga faktorët natyrorë.

Pisha flamur vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj dhe është botuar në guida të ndryshme turistike dhe botime shkencore. Natyrisht këtu nuk mund të rrish pa bërë një foto, me të cilën mund t’u mburresh miqve në Facebook, duke u thënë: “A e shihni ku kam qenë unë”?!

Për të vajtur tek ky monument merret rruga automobilistike Vlorë – Dukat – Llogora deri pra se të dalësh në Qafën e Llogorasë, në të djathtë të rrugës, pasi keni kaluar fshatin turistik. Por edhe po nuk patë Pishën Flamur të evidentuar si të tillë, në Llogara ka plot pisha të tilla, që për shkak të erërave, në një anë janë të zhveshura dhe në anën tjetër kanë plotë degë, si një flamur i shpalosur.

Kullat e Dervish Aliut në Dukat

Kullat e Dervish Aliut ndodhen në afërsi të fshatit Dukat i Vjetër, 4 km nga rruga nacionale Vlorë-Sarandë. I ndërtuar në fillim të shek. XIX ky kompleks mban emrin e Dervish Aliut, personazh i njohur si organizator i revoltave fshatare kundër reformave të Tanzimatit në Shqipëri gjatë viteve 1847-1848. Banesa është e tipit Kullë, që i ngjan një keshtjellëze të fortifikuar.

Kullat e Dervish Aliut u ndërtua në vitin 1828 nga specialistë janinas, për të siguruar mbrojtjen e fshatit, si dhe për të shërbyer si strehim në kohë të vështira sulmesh a luftërash.

Tri kullat e Dervish Aliut kanë rreth 40 frëngji dhe prej andej mund të luftonin mbi 200 luftëtarë.

Në dhjetor 1977 Kullat e Dervish Aliut u shpallën shtëpi-muze dhe u morën nën kujdes nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Edhe sot ato gëzojnë statusin e Monumentit të Kulturës, por fatkeqësisht, me gjithë rikonstruksioneve që i janë bërë, po shkojnë drejt degradimit.

Për të vizituar këtë monument kulture ndiqet rruga që të çon në qendër të Dukatit të Vjetër. Pasi arrihet në qendër të fshatit merr rrugën që të çon në lagjen “Mazo”. Rruga që të çon deri në qendër të fshatit përshkohet nga makina, më tej rreth 1 km ecet në këmbë.

Specialitete të kuzhinës labe

Sipas dëshirave dhe shijeve këtu gjen të gjitha llojet e kuzhinave, që nga ato evropiane, por edhe të krahinave të tjera shqiptare. Por ajo që është e veçantë në artin kulinar të restoranteve të Llogarasë, është kuzhina tradicionale labe, mishi i pjekur në hell, kukurecët, arapashi dhe kosi me arra.

Të shkosh në Llogara dhe të thuash nuk kam ngrënë arapash, më mirë mos trego se ke qenë atje. Arapashi është specialiteti më tipik i kuzhinës së staneve të Labërisë. Bëhet në formë qulli me miell misri, gjalpë dhe të brendshmet e kecit dhe të qengjit. Se çfarë shije dhe sa i këndshëm është, nuk përshkruhet dot. Po të doni, shkoni dhe e shijoni!

Llogara-Dukat, Orikum-Karaburun: një zonë, dy ekosisteme

Një nga qendrat më të mëdha në këtë zonë ka qenë dhe është Orikumi, që shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që ndan një lagunë të vogël nga gjiri (Pasha-Liman). Një kanal, tani i shndërruar në një kënetë lidhte lagunën me detin. Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme. Sot ai është kthyer në një qytet modern, që merr më shumë rëndësi dhe gjallëri në nerv me vërshimin e turistëve të shumtë vendës dhe të huaj. Orikumi ka akoma mundësi dhe resurse të tjera turistike të pashfrytëzuara. Ende një pjesë e tij, më e bukura, mbahet nga repartet ushtarake në një vijë të gjatë bregdetare.

Por Orikumin nuk duhet ta marrësh të shkëputur nga e gjithë zona për rreth që fillon nga Lugina e Llogarasë deri në Pashaliman (tek Gjiri i Bristanit) duke u kufizuar me Gadishullin e Karaburunit, me luginën e Llogarasë dhe Dukatit fushë duke përfunduar me lagunën e Orikumit. E vendosur midis Parkut Kombëtar Llogara dhe Rezervatit Natyror t ë Menaxhuar Karaburun kjo zonë shërben si një urë lidhëse midis dy ekosistemeve natyrore, dhe është pjesë e pandarë natyrale e tyre.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com