Nga Luli Progni
Mora vesh me dhimbje, se Aziz Ndreu ndërroi jetë sot!
I shpreh ngushëllimet më të thella familjes dhe të afërmve, bashkë me pjesëtarët e stafit që punuan për realizimin e filmit “Azizi” dy vite më parë.
Për fëmijët e tij është humbja e prindit, për ne është humbja e një njeriu me atribute të mëdha në dokumentimin e historisë së shqiptarëve në kohën e diktaturës, të jetuar nga ai dhe të rrëfyer si rrallëkush të vërtetën për krimet e komunizmit në Shqipëri.
Azizin e përzgjodha si një prej dëshmitarëve kryesorë për skenarin e filmit Azizi dhe gjatë intervistave të gjata, ende e mbaj mend zërin e tij të butë, rrëfimin e detajuar dhe lotët që fshinte shpesh me shaminë e bardhë.
Azizi është fëmija që u dënua me internim në kampin e Turanit dhe Tepelenës, u rrit e u burrërua brenda telave me gjemba, e atje mësoi të shërbejë si infermier duke u përpjekur t’ju jepte sa më shumë shpresë bashkëvuajtësve të tij, të marrë peng padrejtësisht nga shteti komunist. Ai iu shërbeu me shpirt qindra fëmijëve, grave e të moshuarve të internuar në kampin e Tepelenës dhe pa me sytë e tij, tek ndërronin jetë shumë prej tyre, mes të cilëve edhe e ëma.
Por, Azizi e vazhdoi betejën e tij për të shpëtuar sa më shumë jetë të kërcënuara nga tifo dhe dizanteria që kishte pllakosur në kamp.
Aziz Ndreu më rrëfeu për kampin e Tepelenës, histori që nuk mund të harrohen, atje ku vuajti edhe nëna ime, atje ku kaluan vite të mundimshme qindra familje shqiptare.
Azizi do të mbetet për mua një ndër personazhet më të veçanta, me një kujtesë unike, që nuk deshi në asnjë moment të më rrëfejë vuajtjen e tij, por të bashkëvuajtësve të tjerë.
U prehtë në paqe!