Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 117 raste pozitivë me COVID-19.
Eugena Tomini, shefe e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP u shpreh se “aktualisht kemi transmetim komunitar të përhapjes së virusit në disa bashki të vendit. Ministria e Shëndetësisë i kërkon qytetarëve të mos e ulin vigjilencën: Vendosni maskën, ruani distancën dhe higjienën, për të kufizuar përhapjen e COVID19. Java që lamë pas ka treguar një trend të rritur të rasteve të konfirmuara pozitive, rritje të shtrimeve në spital, pacientëve që kanë pasur nevojë për trajtim në terapi intensive por edhe pacientë të intubuar. Fatkeqësisht kemi pasur edhe rritje të qytetarëve që kanë humbur jetën. Aktualisht kemi transmetim komunitar të përhapjes së virusit në disa bashki të vendit”.
Teksa e cilësoi një situatë serioze epidemiologjike të COVID-19, Tomini tha se, “kjo situatë kërkon reflektim nga ana e qytetarëve për të mos e ulur vigjilencën, duke respektuar masat e vendosura, dhe bizneset duke zbatuar protokollet e sigurisë.Në 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 2 qytetarë: Një 70-vjeçare nga Tirana dhe një pacient 66-vjeçar nga Shkodra, me sëmundje bashkëshoqëruse. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerëve. Situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet e rënduar. Në 24 orët e fundit ka shtim të pacienteve të shtruar, ku aktualisht janë 85 pacientë në spital, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar, në gjendje të rëndë”.
Sipas saj, gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 585 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 117 raste pozitive.
“Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 41 raste në Tiranë, nga 9 raste në Shkodër, Kavajë, 7 në Korçë, nga 6 raste Pukë, Lezhë, nga 5 raste Durrës, Kurbin, nga 4 raste në Krujë, Mirditë, Tropojë, 3 në Fier, nga 2 raste në Kolonjë, Lushnjë, Vlorë, Mat, dhe nga 1 rast në Memaliaj, Ura Vajgurore, Pogradec, Kamëz, Berat, Elbasan. Në 24 orët e fundit janë shëruar 68 qytetarë, duke e çuar në 2014 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1462 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës”, tha Tomini.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve, të tregojnë kujdes në ambientet e punës, aty ku ofrohen shërbime dhe në çdo ambient publik, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike, shmangni kontaktet dhe vendosni maskat kur nuk është e mundur të ruhet distanca. Respektimi i distancës, vendosja e maskës, higjiena vetjake dhe kolektive janë mënyrat e vetme për të frenuar përhapjen e COVID-19. Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127.
Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19.
COVID-19 – Statistika (13 Korrik 2020)
Testime totale 32938
Raste pozitive 3571
Raste të shëruara 2014
Raste Aktive 1462
Humbje jete 95 (Qarku Tiranë 49, Durrës 15, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 16, Kukës 1, Elbasan 4, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 635
Durrës 218
Shkodër 186
Vlorë 108
Lezhë 75
Kukës 47
Berat 41
Korçë 40
Elbasan 35
Fier 33
Gjirokastër 24
Dibër 20/atsh