Ditën e premte më datë 24 korrik ora 11:00, Këshilli Bashkiak i Urës Vajgurore, do të votojë për ndryshimin zyrtar të emrit të bashkisë Ura Vajgurore, e cila do të quhet Bashkia Dimal. Për banorët e këtij qyteti ky shihet si moment, i cili shënon një kulmim të rëndësishëm ekzistencial për komunitetin e atjeshëm.
Ndryshimi i emrit nga Bashkia Ura Vajgurore, në Bashkia Dimal ka qenë një ide e hershme, e cila mori formë, kur kryetarja e Bashkisë, Juliana Memaj nisi interesimin për qytetin e lashtë të Dimalit, duke ngritur edhe një grup pune për rijetëzimin e qytetit antik, grup pune që përbehet nga arkeologe, gazetarë, regjisorë, intelektualë dhe banorë të zonës.
Pas një fushate të gjatë për informimin në lidhje me këtë sit arkeologjik, aktiviteteve të shumta shkencore dhe me karkater edukues, si edhe pas konsultimeve publike me komunitetin, nisma do të marrë formë institucionale.
Është hera e parë, që pas vitit 1992, kur u krijuan 36 rrethet e para në Shqipërinë paskomuniste, kur merret një vendim i tillë nga një bashki në vend.
Emrin Ura Vajgurore, qyteti e mori mes viteve 1946-1947, kur në këtë lokalitet u vendosën depozitat e mëdha të nënprodukteve të naftës të cilat përpunoheshin në Kuçovë.
Vendimi i këshillit bashkiak nuk ka si qëllim ndryshim kufijsh, por nisma synon që të zhvillojë këtë zonën përmes turizmit historik dhe përmes sitit të Dimalit, një nga qytetërimet më të vjetra të ilirisë, i cili daton nga vitet 200 para erës sonë.