Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja theksoi sot në një intervistë televizive, mbrëmjen e sotme se ndryshimet kushtetuese nuk prekin sistemin zgjedhor dhe as ndalojnë koalicionet.
“Dua të jem i qartë. Ndryshimet kushtetuese nuk e prekin sistemin zgjedhor. Shqipëria do të ketë sipas nenit 64 të kushtetutës sistem konkurrimi proporcional rajonal. 140 deputetë të cilët do të jenë në 12 rajone të Shqipërisë. Pra çështja e sistemit nuk preket”, u shpreh Manja.
Duke folur për listat e hapura, Manja tha se bëhet fjalë për ndryshim kushtetues. “Po the lista të hapura sigurisht që partitë do të duhet të shkojnë para elektoratit secila me identitetin politik, që t’i japë mundësi qytetarëve shqiptarë që në ato lista që do të depozitojë secila parti, t’u japë mundësi të zgjedhë partinë dhe kandidatin që duan”, tha Manja.
Sipas Manjës, ndryshimet kushtetuese nuk prekin thelbin e marrëveshjes së 5 qershorit.
“Zonja Hajdari ka qenë pjesë e Këshillit Politik ku është dakordësuar marrëveshja e 5 qershorit për ndryshime në kodin zgjedhor dhe në fakt ndryshimet që janë dakordësuar në marrëveshjen e 5 qershorit kanë të bëjnë më mirëadministrimin e procesit zgjedhor. Nuk flet për koalicione, marrëveshja e 5 qershorit nuk ka të bëjë më koalicione apo jo koalicione. Marrëveshja e 5 qershorit është një marrëveshje e dakordësuar për mirëadministrimin e procesit zgjedhor”, deklaroi më tej ai/atsh