Loading...

Manastirliu tek “Shefqet Ndroqi”: Nisin përgatitjet, brenda javës rihapet COVID 2

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë të ditur se Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” do të rikthehet në spital COVID 2.

Nisur nga situata aktuale e rritjes së rasteve të infektuar me SARS COV2 dhe pas konsultimit me Komitetin Teknik të Ekspertëve, Manastriliu deklaroi gjatë takimit me mjekët e këtij spitali, se, “Shefqet Ndroqi” është i përgatitur për të trajtuar pacientët me COVID-19, pasi ka strukturë të dedikuar, kapacitete të shtuara sa i përket terapisë intensive dhe ekip profesionist dhe me përvojë për trajtimin e të prekurve nga COVID-19.

“Pas diskutimeve me Komitetin e Ekspertëve në Ministrinë e Shëndetësisë kemi vendosur që së shpejti, brenda pak ditësh, do të rihapim si spital COVID 2, Spitalin ‘Shefqet Ndroqi’. Kemi zgjedhur të ndjekim këtë skenar, pra rihapjen e “Shefqet Ndroqit” si spital COVID 2 për disa arsye. Për arsye të kapaciteteve, të infrastrukturës të dedikuar që ky spital ka, të ekipit të specializuar që ky spital ofron dhe eksperiencës dhe ekspertizës që ka fituar edhe përgjatë fazës së parë, kur ky spital ishte i dedikuar për trajtimin e pacientëve me COVID”, tha Manastriliu.

Duke vlerësuar punën e specializuar të spitalit “Shefqet Ndroqi”, Manastirliu tha se shërbimet dhe pacientët e këtij spitali, së bashku me një pjesë të stafit do të zhvendosen në një pavijon të dedikuar tek ish-kirurgjitë në QSUT.

“Jemi duke u organizuar për të gjitha hapat që nevojiten, në mënyrë që shërbimi për pacientët që vuajnë nga sëmundje të mushkërive të mos mungojë. Ata do të trajtohen në QSUT, ku ka një kapacitet të dedikuar me një numër shtretërish të përcaktuar në ish-spitalin e kirurgjisë, për sëmundjet pneumologjike”, – tha Manastriliu.

Drejtori i Spitalit Universitar Shefqet Ndroqi, prof. Perlat Kapisyzi tha se puna e ekipit në fazën e parë tregoi se është një ekip me eksperiencë bashkëkohore në këtë spital, për trajtimin e pacientëve të prekur me COVID-19.

Ndërsa shefja e shërbimit të Reanimacionit, Alma Cani, tha se, falë forcimit të kapaciteteve në terapinë intensive në këtë spital, do të kemi cilësi dhe trajtim bashkëkohor në shërbim të pacientëve me COVID-19. Aktualisht janë duke u kryer proceset e fundit të transferimit të pacientëve dhe shërbimeve të spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” tek spitali “Nënë Tereza”, ku do të kenë pavijon të dedikuar në shërbimin e ish-kirurgjisë, ndërkohë që rreth 125 shtretër në këtë strukturë do të jenë të dedikuara për pacientët me COVID-19.
Pas spitalit COVID 2, janë në dispozicion edhe spitalet COVID 3 dhe COVID 4, me kapacitet rreth 500 shtretër. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com