Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot se Edi Rama e prishi në esencë marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore pas deklaratës se mbështet kërkesën e opozitës parlamentare për hapjen e listave.
“Në esencë Rama ka prishur sot marrëveshjen e 5 qershorit, në të cilën u investuan forcat politike me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së. Në këtë marrëveshje ishte miratimi me konsensus i Reformës Zgjedhore që do të plotësonte një kusht për hapjen e negociatave. Ne si opozitë në këto 7 muaj kemi bërë gjithçka për të arritur një marrëveshje konsensuale”, – theksoi Basha në një konferencë për shtyp.
“Diskutimi i sotëm nuk është për listat e hapura është për koalicionet parazgjedhore që prej fillimit të demokracisë kanë qenë një realitet politik e sanksionuar në Kushtetutë. Rama ka vetëm një tmerr dhe frikë, zgjedhjet me koalicionin opozitar përballë. Maskat ranë se kishte vënë si alibi një grup njerëzish që nuk përfaqësojnë asnjë nga partitë politike të opozitës, njerëz që në këtë sallë nënshkruan heqjen e mandateve dhe më pas u blenë si gjë e gjallë me para të thata në dorë, leje ndërtimi dhe premtime për t’u nxjerrë njerëz nga burgu. Ishin mall i blerë nga Edi Rama”, – tha Basha.
Basha tha se “PD kurrë nuk e ka përjashtuar diskutimin për sistemin. Ne jemi për mazhoritar të pastër me dy dhoma që asnjë kryeministër nesër të mos i ngjajë as hijes së Ramës që kontrollon të gjitha pushtetet. Ndaj jemi të vendosur që një diskutim ta bëjmë por jo me Balla-opozitën, por me gjithë shqiptarët. Jemi gati dhe për referendum në këtë drejtim”, – tha Basha.
“Nëse Rama do kishte interes për lista të hapura nuk do e linte për një pazar fundkorriku, kur OSBE e ka hedhur poshtë 2 ditë më parë si shkelje flagrante ndaj zgjedhjeve të lira e të ndershme. Shqipëria s’mund të jetë peng i Ramës. Marrëveshja e 5 qershorit është e qartë. Nuk ka konsensus për ndryshimin e sistemit. Jo sepse nuk deshëm ne, por sepse Rama donte depolitizim. Por ai do të heqë koalicionet parazgjedhore”, – tha Basha. /atsh