Loading...

Kështjella e Tragjasit një nga vlerat historike në fuksion të Turizmit!

Kështjella e Tragjasit, një nga monumentet historike në rrethin e Vlorës, ngrihet në majën e një kodre, mes një mjedisi fushor, në afërsi të bregdetit të Orikumit, e veçantë për nga shtrirja e saj, krahasuar me objekte të tjerë të këtij lloji.

Kështjella, mban emrin e Gjon Boçarit, një personazh historik i njohur në rrethin e Vlorës për kontributin në qëndresën kundër pushtuesve osmanë,vendosja e emrit, pavarësisht origjinës së tij, mbetet disi i errët për historianët dhe muzeologët vlonjat, për shkak të mospërputhjes në kohë të periudhës kur është ndërtuar dhe asaj që ka jetuar personazhi historik.
Gjithsesi, historianët vlonjat, mes të cilëve edhe Novruz Bajrami, mendojnë se kështjella e Tragjasit është ndërtuar në fillim të shekullit XIV. Përmasat e saj të vogla, krahasuar me simotrat e tjera dëshmojnë se ajo ka shërbyer fillimisht si objekt mbrojtës për ndonjë prej fiseve që kanë jetuar në këtë zonë.
Kështjella lidhet me një periudhë mjaft të rëndësishme të historisë së Vlorës, me qëndresën ndaj pushtuesve osmanë. Historiani vlonjat thotë se, ky mjedis i fortifikuar, ndonëse i vogël, shërbeu si vendqëndrimi i fundit për princeshën e Vlorës, Rugjina dhe mbështetësit e saj, përpara se qyteti të pushtohej nga turqit, në vitin 1417.
Kështjella, me një gjatësi afro 50 metra dhe muret e saj me një lartësi 5 metra dhe gjerësi 1.25 metra, ndodhet në hapësirën mes fshatrave Tragjas i Vjetër dhe i Tragjas i Ri.
Ajo ka formë drejtkëndore dhe në dy skajet veriperëndimore dhe juglindore, ndodhen dy kulla mbrojtëse gjashtëkëndore. Në të gjithë gjatësinë e mureve janë ndërtuar frëngji drejtkëndore dhe gjithë pjesa e sipërme është e rrethuar me mure të fortifikuara.
Teksa lëviz në pjesën e brendshme të saj, në gjysmerrësirë, evidentohen fare lehtë shkallët që çonin luftëtarët në vendet e luftimit. Nga lartësia e kullave mbrojtëse shihen si në pëllëmbë të dorës, gjiri i Vlorës, fusha e Dukatit deri në Orikum, si edhe një pjesë e rrugës që të çon në Qafën e Llogarasë. Ndoshta edhe për këtë fakt, kështjella e Tragjasit evidentohet për vlerat e saj të shumëfishta, mes të cilave historike, arkitekturore etj.
Ngrehina e saj soditet me kërshëri nga udhëtarët që përshkojnë rrugën që të çon në Qafën e Llogarasë. Ajo shfaqet disi papritur, teksa ndodhesh në afërsi të vendit që emërtohet Blloku i Pjeshkëve dhe hedh vështrimin në verilindje, në drejtim të fshatit Tragjas.
Ky fshat, që ngrihet në këmbët e malit të Lungarës, pranë burimit të lumit Izvor, është një nga vendbanimet e spikatura në historinë e rrethit të Vlorës. Gjurmë të vendbanimeve antike, janë zbuluar pranë kodrës së emërtuar qyteza e Sofës, ku gjenden edhe varre ilire.

Në këtë mjedis ka mbetje të disa ndërtesave të shekullit IV, para Krishtit.

Fshati që njihet në histori me disa emra si Tregas, Dragjat, etj dhe që bënte pjesë në qendrat e fortifikuara të gjirit të Vlorës gjendej dikur në një kodër në perëndim të fshatit të sotëm. Ai u shkatërrua nga turqit por u rindërtua në shekullin XVI, atje ku ndodhet edhe sot, rreth 5 km larg nga rruga kombëtare Vlorë-Sarandë.
Kështjella e Gjon Boçarit, si elementi më i spikatur i këtij sfondi të pasur historik, është shpallur monument kulture dhe u restaurua pjesërisht në vitet 1980-të.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com