Loading...

Kandidatët për deputetë/ Kim: Kryetarët e partive do mbajnë përgjegjësi, mos i fyeni votuesit, mos promovoni korrupsionin

Në media u publikua një lajm sipas të cilit gjyqtari Gjin Gjoni është propozuar nga PD për përfshirjen e tij në listat e kandidatëve për deputetë.

Siç raportojnë mediet, strukturat e degës së Partisë Demokratike në Lezhë e kanë propozuar emrin e gjyqtarit Gjoni si kandidat për deputet, i cili vetëm një ditë më parë dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë.

Por lidhur me këtë lajm reagoi PD, duke u shprehur se gjyqtari Gjoni është propozuar si kandidat për deputet nga dega e PD Lezhë, por mohon që ai do të pranohet.

Sipas PD-së, nuk mund të kandidohet për deputetë “asnjë individ i cili është larguar nga detyra për shkak të Vetingut apo që ka dhënë dorëheqjen nga funksioni në drejtësi pas hyrjes në fuqi të ligjit të Vetingut”.

Ndërkaq, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim paralajmëroi liderët e partive politike se do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën logon e tyre, ndërsa kanë nisur përgatitjet për listimin e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

“Paralajmërim: Ndërsa partitë përgatiten për zgjedhje, liderët do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën flamurin e tyre. Ju lutemi, shqyrtoni kandidatët tuaj – mos i fyeni votuesit, mos e dëmtoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin”, u shpreh Kim.

Një ditë më parë, gjyqtari i Apelit Gjin Gjoni deklaroi dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë ndërsa pritej të përballej me Vetingun. Ai tha se “trupa që më gjykon mua dhe kolegët e mi, është në nivel që lë për të dëshiruar”, duke shtuar në argumentin e tij se ”sita e Vetingut nuk ka të njëjtat parametra, dhe as kritere të barabarta për të gjithë, nëse je shërbëtor i politikës”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com