Loading...

Kalo apel qytetarëve: Mos ulni vigjilencën ndaj masave, COVID-19 është një realitet jetësor

Mjeku infeksionist Tritan Kalo ju bënë apel qytetarëve të kujdesen për masat ndaj virusit, pasi Sars-Cov2/Covid-19 është një realitet jetësor.

“Dhoma e parë në të djathtën e fotos së korridorit të pavijonit të parë është zyra ime në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive në QSUT, ose sikundër edhe njihet Spitali Covid-1. Përkujdesi ndaj të sëmurëve realizohet vetëm aty dhe shumë më pak në studiot televizive, si dhe njohuritë për këtë sëmundje ende me shumë e shumë të panjohura përftohen po aty, krahas njohjes me eksperiencën e kolegëve tanë në Shqipëri dhe në mbarë botën”, shprehet ai.

Po ashtu, Kalo shton se “gjendem aty që herët në mëngjes jo i frikësuar, por i ndërgjegjësuar për të qenë sa më pranë jush në çdo rast nevoje. Miq e dashamirës, përkujdesuni në vijimësi për shëndetin e jetën tuaj dhe të afërmve tuaj. Sars-Cov2/Covid-19 është një realitet jetësor. imagjinatën e sëmurë për konspiracionin e mosekzistencës së kësaj “flame mbarëbotërore”, lërjani të dashuruarve pas teorive konspirative apo atyre gjithollogëve, që janë në kërkim të protagonizmit të munguar”.

“Kurrë mos harroni se janë aty që prej 9 Marsit 2020, në 24 orët e ditës me dhjetëra e dhjetëra motra e vëllezër tuaj mantelbardhë, infermierë, sanitarë, imazheristë, administratorë, farmacistë, barrelistë, shoferë e punonjës të rendit, për të vigjiluar mbi shëndetin tuaj. Mendoni edhe për sakrificat e privimet e tyre të pafundme. Jo rrallë ne edhe nuk ja kemi dal mbanë dhe kemi humbur jetë njerëzish, shpirtrat e të cilëve pushofshin në Parajsë. Fëmijët kanë humbur nënën apo babanë, të afërmit motrën apo vëllanë, ne kemi humbur kolegët tanë të çmuar. Ju lutem si mjek e vëlla, që kurrë të mos e braktisni për asnjë çast përkujdesin ndaj vetes, si dhe vigjilencën për të mos rënë PRE e këtij infeksioni sa tinëzar edhe jetë-marrës”, apelon Kalo.

“Me mirëbesim reciprok si dhe me përpjekje të palodhshme do mundet t’a fitojmë sfidën me Sars-Cov2/Covid-19”, shprehet Kalo. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com