Loading...

“Jo mjekim interneti për COVID-19″/ Brataj, apel qytetarëve: Kontaktoni mjekët e familjes për këshilla

Jo mjekim interneti për COVID-19. Ky është apeli që ka bërë sot kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të mos ndjekin këshillat e internetit për mjekim kundër koronavirusit.

Ai ka marrë rastin e betadinës, duke sqaruar se ajo nuk shërben për shpëlarje fyti, por është një dezifektant për plagët.

“Përshëndetje qytetar shqiptar kudo ndodhesh. Sot po qarkullon në rrjetet sociale një mjekim apo protokoll mjekimi i cili po shpërndahet nga të gjithë personat që mendojnë se do të ndihmojnë sadopak njerzit dhe të afërmit e tyre”, ka thënë Brataj.

“Jo terapi interneti, jo terapi nga çdokush. Në atë mesazh ka gjëra mjekësore të ngatërruara, të shpjeguara jo nga specialist të fushës. Nuk ekziston betadinë për shpëlarje fyti, betadina është një dizifektant për plagët. Terapia dhe medikamentet merren nën këshilla mjekësore, pasi vlerësohen shenjat dhe simptomat, por mbi të gjitha kur vlerësohen parametrat jetësorë si presioni i gjakut, frekuenca kardiake, frekuenca respiratore, niveli i oksigjenit në gjak (saturimetria) që duhet të jetë në njerëzit normal nga 94-100%, në ata me patologji pulmonare jo më pak se 90%. Nëse është më poshtë këtyre shifrave i duhet dhënë oksigjen të sëmurit”, është shprehur ai.

“Nëse saturimetria e oksigjenit është 43% siç thuhet në atë mjekim mund të jetë i papërshtatshëm më me jetën, prandaj ju lutem jo terapi interneti. Mjeku i familjes, mjeku i 127, mjekët e urgjencave, specialistët si infeksionist dhe pneumolog janë profesionistët që në këtë moment mund t’ju këshillojnë pasi t’i keni kontaktuar ata. Çdo mjek që ju njihni ose keni besim në ta duhet t’i kontaktoni, të këshilloheni dhe nëse ata ju këshillojnë ose ju drejtojnë te specialistë të tjerë atëherë veproni”, ka thënë Brataj./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com