Mjeku i njohur, Artan Koni ka dhënë një intervistë për Euronews Albania ku ka folur për situatën e Covid-19 në vendin tonë.
Ai u shpreh se propaganda se Shqipëria e përballoi më mirë se vendet e tjera situatën nga Covid-19 është arsyeja se përse numri i testimeve është i ulët.
Sipas Konit, kjo është dhe arsyeja se përse nuk lejohet bërja e analizave edhe në laboratorët privatë.
“ISHP asnjëherë s’e ka pranuar se ka mangësi testimesh, ata kanë tre muaj radhazi që thonë se nuk kemi fare mungesë testimesh, bëjmë aq sa duhet, madje edhe ministria ju ktheu përgjigje juve se jemi në rregull.
Por realitet është se testimet janë mangët, kjo shpjegon edhe shtimin e numrit të rasteve, sepse duke i lënë të lira, rastet do të shtohen. Mund të hamendësoj se duan një informacion të centralizuar për qytetarët.
Nëse heqim centralizimin e informacionit duke futur në punë edhe laboratorët privatë, nëse heqim censurën na bie fabula e suksesit që kemi tre muaj që trumbetojmë, që jemi vendi me numër më të vogël të rasteve në rajon.
Arsyeja është fabula e suksesit dhe asnjë tjetër, nuk ka arsye tjetër që prokuroria të shkojë tek dera e laboratorëve privatë dhe t’i mbyllë”, tha mjeku urolog.
Mjeku Koni shprehet se mungesa e transparencës shkon deri aty, sa pacientëve që shtrohen në infektiv ju merret telefoni sapo hyjnë në spital.
“Ata duan më shumë laboratorë, po i duan në kontrollin e tyre si ai i ISHP dhe ai në QSUT që do hapet, ndërkohë që një laborator privat nuk e kontrollon dot.
Veç centralizimit të informacionit, asnjë media nuk ka mundur të marrë një kamera e të futet në Infektiv e të shohë çfarë ndodh atje, siç kanë bërë mediat në Itali apo Francë.
Pacientëve që shtrohen sot në Infektiv iu merret telefoni që të mos komunikojnë me mediat apo familjarët. S’e kuptoj pse iu merret njerëzve telefoni? Çfarë ndodh aty, apo bëhet ndonjë eksperiment, është burg i sigurisë së lartë? Është vetëm një spital i thjeshtë. Kamerat e medias futen kudo, më thoni një vend që i mbyll dyert mediave”, tha ai.
Edhe pse shumë qytetarë kërkojnë t’i nënshtrohen ekzaminimit, Koni shprehet se atyre ju bëhet tamponi kur gjendja rëndohet dhe ata mund të kenë infektuar shumë të tjerë.
“Qytetarët telefonojnë 127 dhe marrin një përgjigje që ka mundësi të kesh me COVID po nuk je në atë gjendje për të bërë tamponin, kur të jesh më rëndë do ta bësh. Por për një javë apo 10 ditë një person mund të ketë infektuar gjithë familjarët”./CNA.al