TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Një koloni e re e dallëndyshes së detit ‘Glareola pratincola’ është gjetur nga vullnetarët gjatë ditëve të fundit, në skaj të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Administrata e Zonave të Mbrojtura në Qarkun e Fierit informon se nga vlerësimet paraprake, u konfirmua një numër prej së paku 70 çiftesh folezuese, megjithatë numri i saktë mund të jetë dyfish më i madh.
“Kolonia është e shtrirë në një sipërfaqe të gjerë prej rreth 100 ha dhe për inventarizimin e saktë të çifteve folezuse nevojitet një skuadër me disa specialistë dhe ndihmë. Kësisoj, vullnetarët tanë kanë kërkuar ndihmën e Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Fier dhe Shoqatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri për të realizuar inventarizimin e plotë të kolonisë në bazë të protokolleve metodologjike përkatëse”, thekson ADZM në fier, ndërsa falenderojnë të dy institucionet për shprehjen me shumë entuziazëm dhe interes të gatishmërisë për të ndihmuar në këtë proces që do të realizohet së afërmi.
“Për fat të mirë, stadi i folezimit në të cilin gjendet kolonia mundëson ende inventarizimin e saj. Mosha e zogjve është e ndryshme, por në shumicën dërrmuese nuk e ka arritur stadin e zhvillimit të puplajës që u mundëson fluturimin. Të rinjtë gjithashtu, në përgjithësi, qëndronin në koloni nën kujdesin e prindërve.
Këto gjetje të fundit e klasifikojnë Shqipërinë si vendin e 7 në Europë për sa i përket madhësisë së popullatës së dallëndyshes së detit.
z.tosku/ /a.g/