BRUKSEL, 18 korrik /ATSH-DPA/ – Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell kritikoi ashpër Uashingtonin për kërcënimet e tij në rritje për të sanksionuar kompanitë e përfshira në tubacionet energjetike ruse drejt Europës.
“Jam thellësisht i shqetësuar për përdorimin në rritje të sanksioneve ose kërcënimin e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër kompanive dhe interesave europiane”, tha Borrell në një deklaratë.
“Ne kemi qenë dëshmitarë të këtij trendi në zhvillim në çështjet e Iranit, Kubës, Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe së fundmi për projektet ‘Nord Stream 2’ dhe ‘Turkstream”, deklaroi Borell.
Komentet e Borrell vijnë si kundërpërgjigje ndaj lëvizjeve të SHBA-së për të forcuar sanksionet lidhur me gazsjellësin gati të përfunduar ”Nord Stream 2”, që do të zgjerojë kapacitetin për të transportuar gaz nga Rusia në Gjermani nën detin Balltik.
Vitin e kaluar, SHBA vendosi sanksione ndaj kompanive europiane që punojnë në ”Nord Stream 2”, duke thënë se gazsjellësi, që është financuar pjesërisht nga ”Gazprom” me pronësi shtetërore ruse, rrit ndikimin e Moskës në Gjermani dhe vendet e tjera europiane.
Borrell tha se veprimet e SHBA-së janë “në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar” dhe se “politikat europiane duhet të përcaktohen këtu në Evropë dhe jo nga vendet e treta”.
Muajin e kaluar, Borrell kishte kërcënuar se Bashkimi Europian po konsideronte sanksione në përgjigje të përpjekjeve të SHBA-së për të bllokuar projektin.
Moska ka pretenduar se SHBA është duke kërkuar të ndryshojë projektin për të siguruar që ofruesit e gazit natyror amerikan mund të shesin eksportet në tregun e BE me një çmim më të lartë se Rusia./ a.jor.