Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka ndarë një videomesazh drejtuar qytetarëve nga eksperti i Institutit të Shëndetit Publik Alban Ylli.
Në mesazhin e tij, Ylli shprehet se në fazën e parë i gjithë populli shqiptar dëshmoi përgjegjshmëri dhe solidaritet e kështu u arrit të kalohej me sukses, por rritja e rasteve dhe shpërthimi i këtij virusi në komunitet sipas tij ka ardhur nga lehtësimi i masave drastike.
Nisur nga kjo doktor Alban Ylli ju bën apel qytetarëve të respektojnë masat e distancimit, higjienës si dhe të vendosin maska mbrojtëse në ambiente të mbyllura.
“Më shumë gjasë, ky qarkullim i ri i virusit në komunitet ka ardhur si pasojë e lehtësimit të masave drastike që u morën gjatë pranverës. Gjatë periudhës së shtetrrethimit, masave drastike, të gjithë qytetarët e Shqipërisë dëshmuan disiplinë, përgjegjshmëri dhe ja dolëm mbanë të shpëtojmë me qindra jetë. Tani jemi përpara një sfide të re.
Do na duhet që në asnjë rast të mos harrojmë që jo vetëm ne, por i gjithë globi, miliarda e miliarda njerëz ndodhen përball një krize, krizë historike e cila do të mbahet mend për vite e vite me radhë. Kudo është duke u dëshmuar solidaritet, kudo në botë njerëzit janë duke u përpjekur të sillen ndryshe për të parandaluar përhapje e infeksionit e virusit dhe për të shpëtuar sa të jetë e mundur jetët e atyre që janë më të dobët, të moshuarit dhe sëmurët kronik. Do na duhet gjatë verës të jemi të kujdesshëm dhe të respektojmë sa të jetë e mundur masat e këshilluara, të mbajmë maska në mjedise të mbyllura, të mbajmë distancën fizike dhe të përpiqemi të jemi të kujdesshëm me higjienën sidomos duke larë sa më shpesh duart,” shprehet eksperti i Institutit të Shëndetit Publik Alban Ylli. /atsh