Loading...

Dy spitalet COVID po mbushen/Manastirliu apel për të vendosur të gjithë maskën për të ulur numrin e të prekurve

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot në Kuvend se “do të bëjmë detyrën tonë, do të forcojmë kapacitetet spitalore”, ndërsa bëri thirrje që secili të marrë përgjegjësinë individuale për vendosjen e maskës me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjatë prezantimit të aktit normativ “Për një shtesë në aktin normativ, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar”, Manastirliu theksoi se “në dy spitalet COVID-19, të cilat aktualisht janë funksionale kemi mbi 120 të shtruar të konfirmuar me këtë diagnozë dhe me dhjetëra të tjerë, të cilët janë të dyshuar dhe janë të shtruar në këto spitale”.

“Shumë shpejt do të ezaurojmë kapacitetet e dy spitaleve të dedikuara, më pas do të shtrihemi në planin tonë për të hapur spitalin e tretë dhe të katërt. Ne do të bëjmë detyrën tonë do të forcojmë kapacitetet spitalore, por a është më e mira kjo? Është më e mira që ne të vijojmë të hapim spitale pa fund se na rriten të prekurit me COVID-19 apo është më e mira që secili të marrë përgjegjësinë individuale të vendosi barrierën mbrojtëse prej tekstili, të vendosë maskën dhe të ulim të gjithë së bashku rriskun për infeksionin , po kështu edhe të infektuarit. Sepse është shumë e thjeshtë ulja e numri të të infektuarve çon në më pak persona të prekur nga COVID, më pak të shtruar në spital dhe rrjedhimisht më pak humbje jete”, – nënvizoi Manastirliu.

Kjo, vijoi ajo, kërkon një mobilizim të qytetarëve dhe ne nuk duhet ta bëjmë vetëm për veten tonë, por për të afërmit tanë dhe për të gjithë ata mjekë dhe infermierë që kanë 140 ditë që janë në krye të detyrës në vijën e parë të luftës me COVID-19 dhe që po punojnë 24/7 për të shpëtuar jetë”.

“Le ta bëjmë për ata, të cilët po sakrifikojnë për ne, për prindërit dhe fëmëjët tanë sepse sa më herët ne të zbatojmë masat, të cilat janë thjesht masa mbrojtëse nuk është sakrificë vendosja e maskës . Ajo duhet të kthehet në një rutinë për gjithësecilin prej nesh. Duhet të vazhdojmë jetën me normalitetin e ri, ashtu siç ishim nuk do të jemi derisa vaksina të a garantojë që do të kthehemi në atë normalitet”, – tha Manastirliu.

Sipas saj, ndërkohë që edhe kur vaksina të dalë bota do ketë ndryshuar dhe nuk ne nuk do të jemi më të njëjtët.

Ministrja u shpreh se “ftoj që të votojmë bashkë këtë akt normativ dhe të gjithë të japim shembullin e mirë dhe të drejtojmë me shembullin personal”.

Manastirliu i bëri apel edhe deputetëve në Kuvend që të mbajnë maskën. “Nëse ju nuk e mbani maskën dhe refuzoni të mbani barrierën mbrojtëse që mbron ju, kolegët tuaj, familjarët tuaj nga ky infeksion, sigurisht që nuk mund të jeni shembulli më i mirë për t’u marrë përsa i përket masave që të gjithë së bashku duhet të zbatojmë pikërisht për luftën ndaj këtij infeksioni”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com