Loading...

Ani Binaj, drejtori i ri i Kadastrës së Vlorës/ Lame: 10 400 legalizime të kryera, 65 000 pasuri ende pa regjistrim fillestar

Ani Binaj do të jetë drejtori i ri i Agjencisë së Kadastrës Vlorë.

Prezantimin e tij e bëri sot, Artan Lame, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kadastrës Shqiptare, nga shtëpia e oficerëve në Vlorë, ku do të ndërtohen zyrat e reja dhe moderne të Agjencisë së Kadastrës së Vlorës.

“Në kuadër të ristrukturimit të kadastrave bregdetare, më duhet ta pranoj që ristrukturimi i Kadastrës Vlorë ka qenë më problematiku. Kështu kemi vënë në udhën e mbarë kadastrën e Shkodrës, të Lezhës, të Durrësit dhe të Kavajës. Kadastra e Fierit nuk ka qenë ndonjëherë problematike. Për fat të keq, Vlora u tregua një problem i zgjatur”, – deklaroi Lame.

“Vlora po paguan kusuret e 30 vjetëve papërgjegjshmërie në fushën e pronës.
Askund si në Vlorë kanë qenë prezente si, falsifikimet e regjistrave të pasurive të paluajtshme, çështjet gjyqësore të hapura e zgjatura, në shumë raste edhe mbi 5 e 10 vjet. Vendimet e Prokurorisë për zbulimin e grabitjeve të pronës publike e private. Kujtoj këtu vetëm vendimet e kohëve të fundit në bregdetin e Karaburunit, konfliktet civile të cilat kanë mbushur kronikën e zezë të këtij qyteti”, – tha Lame.

“Procesi i legalizimeve në Vlorë nuk ka ecur keq. Deri tani janë kryer 10.400 legalizime. Në këtë kuadër, drejtorit të ri i del detyra e përshpejtimit të këtij procesi. Një fushë që Vlora ka qenë mbrapa është edhe legalizimi i pallateve me shkelje dhe atyre të braktisura”, – shtoi Lame.

“Drejtoria Vlorë është një nga drejtoritë më të rëndësishme të Kadastrës Shqiptare, duke marrë në konsiderate se ajo ka në administrim të vet regjistrin e pasurive të paluajtshme dhe hartat kadastrale për 106 zona kadastrale dhe ofron shërbime kadastrale për territorin e 3 bashkive, përkatësisht Vlorë, Himarë dhe Selenicë. Nga këto 106 zona kadastrale, 28 janë ende pa regjistrim fillestar, me një total prej afërsisht 65.000 pasuri të paluajtshme”, – tha ai.

“Sikurse jeni në dijeni, Agjencia Shqiptare e Kadastrës ka filluar procesin e regjistrimit fillestar për te gjitha zonat kadastrale të mbetura. Ndër zonat që kanë nisur regjistrimin së fundmi janë edhe 8 ZK të bashkisë Himarë, proces i cili po kryhet nga Projekti i Përmirësim/Përditësimit dhe Regjistrimit Fillestar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës. Regjistrimi fillestar është hapi kyç drejt garantimit të të drejtave të pronarëve të ligjshëm, në kuadër të sigurimit dhe krijimit të tregut të konsoliduar të tokës”, – shton ai.

“Drejtori i ri i Kadastrës Vlorë, së shpejti do të ketë në dorë rezultatin e këtij procesi, për ta vënë atë në dispozicion të qytetarëve dhe biznesit. Por pavarësisht procesit të regjistrimit fillestar, detyra kryesore e tij do të jetë ofrimi i shërbimeve ndaj qytetarëve në kohë dhe me cilësi duke përmirësuar ndjeshëm mangësitë që mund të jenë krijuar gjatë këtyre kohëve”, – vijon Lame.

“Nga ana jonë, është duke nisur procesi i bashkëpunimit me bashkinë Selenicë, për përfundimin e regjistrimit në territorin e kësaj bashkie, duke i dhënë të njëjtën rëndësi procesit të regjistrimit në zonat malore, në zonat bregdetare apo në zonat fushore.
ASHK është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha Bashkitë, për t’i dhënë fund regjistrimit fillestar, inventarizimit dhe përditësimit të inventarëve të pasurive të paluajtshme të transferuara apo në pronësi të njësive të qeverisjes vendore”. – thekson Lame.

“Në mbështetje të regjistrimit fillestar për zonat e Bregut, përveç ofrimit të shërbimeve të përditshme kadastrale, Drejtoria Vlorë do të këtë një volum të konsiderueshëm pune për: ligjërimin e objekteve të ndërtuara para vitit 1991;përfundimin e procedurave të kualifikimit të ndërtimeve informale; regjistrimin e tokave bujqësore; si dhe përditësimin e inventareve të pasurive të paluajtshme në pronësi apo administrim të njësive të qeverisjes vendore”, – tha Lame.

“Prezantimin e sotëm, po e bëjmë në një ambient në dukje aspak normal. Kjo godinë, dikur shtëpia e Oficerëve dhe prej vitesh e plaçkitur dhe braktisur, së fundi nga qeveria ju kalua Drejtorisë rajonale Vlorë, për të bërë selinë e saj të re. Këto ditë fillon rikonstruksioni i saj dhe, pas disa muajsh, qytetarët vlonjatë do të kenë në dispozicion shërbimi ambiente të rinovuara. Jam i bindur që shumë shpejt Vlora do ta ndjejë ndryshimin për tu bërë një prej qyteteve ku stresi i pronës të mbetet kujtim i të kaluarës”, – tha Lame.

Drejtori i ri i Agjencisë së Kadastrës në Vlorë, Ani Binaj, deklaroi se faktet do flasin më shumë se fjalët. “Jam lindur e rritur në Vlorë. Kam eksperiencë pune në privat e publik. Arsim të lartë në drejtësi. Kam punuar pranë zyrave vendore të kuvendit të Shqipërisë. Duke parë gjendjen aktualet të kadastrës Vlorë më lejoni ta përmbledh me një fjali, le të flasin faktet dhe jo fjalimet për punën e kadastrës së Vlorës. Ftoj të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e risive të reja të kësaj kadastre”, – tha ai.

Artan Lame, në fund të prezantimit sqaroi për gazetarët se kjo qeveri ka pasur kurajon të hapë kutinë e problemeve në Vlorë, ndërsa u kërkoi atyre kohë për të zgjidhur ngërçet e shumta që ka ky qytet.

“Në 30 vite askush nuk pati kurajo të hap këtë kuti me problematika që ka Vlora. Ne e hapëm, morëm kurajon dhe e hapëm dhe na lini kohë ta zgjidhim”, – tha Lame. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com