Mjekja Gjeorgjina Kuli, anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve për pandeminë, u shpreh për zbatimin rigoroz të masave antiCOVID dhe për vendosjen me detyrim të maskave në ambientet ku ka shumë njerëz dhe në ambientet e mbyllura.
Gjatë një interviste televizive, Kuli theksoi se “ka strategji për çdo problematikë por në përgjithësi ne stimulojmë përdorimin e maskave. E kemi thënë që do ta bëjmë të detyrueshëm përdorimin e maskave, në të kundërt do të ketë një farë penaliteti, pasi ka kaluar faza e këshillimit, ndërsa duhet të vijoj zbatimi i distancimit fizik dhe larja e shpeshtë e duarve”.
“Komiteti Teknik, vijoi ajo në kuadrin e masave kundër COVID-19, insiston për ofrimin e punës online nga të gjitha institucionet”- tha ajo.
Kuli bëri apel për zbatimin e protokolleve antiCOVID në kopshte, institucione e ambiente publike.
“Në ambientet e mbyllura ose në ambientet e hapura ku nuk ruhet dot distanca dhe ka më shumë se 10 veta, patjetër do të jetë e detyrueshme maska dhe do të ketë penalitete në rast moszbatimi nga qytetarët. Komiteti Teknik në mbledhjen e fundit, ka vendosur që përdorimi i maskave të jetë i detyrueshëm dhe kjo do të zbatohet sa më shpejtë. Me këto shifra që shoh, të cilat janë stabël por janë në nivelin e lartë të kurbës mendoj që masa do të zbatohet shpejtë”- theksoi Kuli.
Ajo theksoi se aktivitetet me më shumë risk janë qëndrimi dhe ngrënia në një bar ose në ambiente të ngushta ndërsa palestrat duhet të jenë shumë mirë të ajrosura.
Mjekja Kuli u shpreh se është më mirë frekuentimi i detit sesa i pishinave dhe të mos përdoren shezlongët e të tjerëve. /atsh