Loading...

87-vjeçarja, 30 vjet në vetmi/ ‘Nuk mbaj mend kur ka qenë njeri këtu’

Dita po i shkon në mendime, e të vetmen mbrojtje e gjen tek perëndia. Vetmia e ka lodhur shumë, e kjo është fraza të cilën e përsërit më së shpeshti.

Brenda katër mureve, e vetme për 30 vjet, shoqëri po i bëjnë vetëm pulat e një qen. E edhe për këta po kujdeset vet. Shtëpinë vështirë po e ngrohë ditëve të ftohta. Dimri i është bërë armik, e jeta po i bëhet çdo ditë e më e pamundur, nuk din kujt t’i drejtohet. 30 vjet frikë, skamje, e lodhje nga mosha.

Kjo është jeta e 87-vjeçares nga fshati Rakoshë e Istogut. Në jetë nuk pati gati askënd që të kujdeset për të. Po jeton krejt e vetme, e pensioni që merr nga shteti, mezi arrin shumën 90 euro.

Ato pak të ardhura vështirë i menaxhon. Nuk mund të blejë gati asgjë, e kur mbet pa ushqim, të vetmen dëshirë e ka që të arrijë të blejë barnat.

“Veç me perëndinë, nuk i kam hjek mendtë prej tij kurrë…Vetëm pasha Zotin qishtu moj motra jem, vetëm. Me halle, me derte. Komshia pasha Zotin e kam thy dorën qitash tash bëhet mot-mot asnjë nuk është ardh me ma qel derën. Shkova me ju qit pulave, ka erdha, u rrëzova e theva dorën”, rrëfen ajo.

Jeton në një dhomë, ku skutat janë mbuluar nga myku. Nënë Zoja të rralla i ka takimet me njerëz, ka harruar edhe kur për herën e fundit e kishte vizituar dikush në shtëpinë ku ajo po jeton që 20 vjet, raporton Kosova Press. Fytyrën ja kanë mbuluar rrudhat e pleqërisë, e derisa flet për jetën e saj të vështirë, nuk i pushojnë lotët.

“Paj vallahin po, një re e kunatit vjen kajher, më këqyr qitu, a po muj me bo bukën, se vallahin shumë herë kur të qet në tepsia diçka, ma bjen. Unë po i them mos ma bjerë. Shporetin e kam, dru jo. Vet nuk muj me i bajt, qishtu”, shton ndër të tjera ajo.

Ndonëse e ka lodhur shumë jeta, e moshuara nga Istogu çdo ditë ka nevojë për përkujdesje. Ishte ithtuar shumë me disa punëtorë, kur disa bamirës nga Istogu kishin mbledhur disa ndihma për t’ia rregulluar banjon.

“Vallahen nuk ma kanë hijdis mirë, ma kanë lon pa derë, ata punëtorët”, flet ajo.

Po duhet edhe t’i kufizojë nevojat e saj, pensioni që merr nga shteti, mezi arrin shumën 90 euro. Këto të ardhura më shumë po i shkojnë në barna. Nuk harron asnjëherë të përmend drutë për dimër, sepse thotë se po i frikësohet shumë ditëve të ftohta dimri.

“Në muaj unë i marr 90 euro, çka me bo me to. A me ble harq, a me ble barna. Barnat turlifare i kam qaty. Vallahi po duhet me i kursye, barnat vallah, barnat e shtrenjta. Gjakun e altë. Janë radhit do sene, po tash dertin për dru, rryma po nalet, që dje gjithë ditën u ndal, sot tre orë u nal, qitash u ardh”, shton nënë Zoja.

Tërë jetën e kishte kaluar në bjeshkë, thotë se jetën ia zgjati puna që e kishte bërë. Nuk i pushojnë lotët, kur tregon se si ia kishin “vjedhur” lopët e delet që po i mbante.

“Sa i kam pas delet e lopët dilsha në bjeshkë….po m’i vodhën. Edhe më kanë qit natën, i hetova. Veç e kam marrë një dërrasë qaty, e jam dal pas tyre deri qatje, kanë mujt edhe me më mbyt. Qishtu, çka me bo. Nuk po shoh mirë, si hije po më dukesh”, tregon ajo.

Ditët e ftohta të dimrit i janë bërë armik, derisa vështirë po arrin të sigurojë vetë drutë për të kaluar acarin. Jo rrallë herë kishte kërkuar ndihmë edhe nga komuna, por thotë se nuk do të shkojë më.

“Jam kanë në komunë, jam kanë parvjet për dru, është njëfarë Dauti. Shkova e bëra letrën poshtë në kat të parë, shkova në kat të tretë e hapa derën. Më tha hallë çfarë po donë. Thash vallahin do dru unë, nuk kam dru, ih tha na keni tesh, u ktheva. Kesha me ato çikat thash nuk më pranoj, edhe i kesha. E tani nuk jam kanë mo. Ja që dy vjet nuk jam kanë mo në derë”, shton ajo.

Nuk kërkon shumë, hallin e vetëm 87 vjeçarja i ka drutë, për to mendon tërë verën. Madje edhe kjo është kërkesa e vetme. Zojë Haxhiaj nga Rakosha e Istogut kishte mbetur e vetme 30 vjet më parë, atëherë kur edhe i vdiq bashkëshorti.

Vet kujdeset për gjithçka, përfshirë edhe ushqimin. E nuk rresht së përmenduri që ditët e dimra po afrohen, e ende nuk ka siguruar ngrohjen për këtë vit.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com