Loading...

125 fëmijë të prekur nga COVID-19/ Dervishi: Vetëm foshnja 2-muajshe e shtruar në spital

Marjeta Dervishi, epidemiologe pranë Institutit të Shëndetit Publik tha për një nga mediet e vendit se foshnja 2-muajshe dhe nëna e saj janë shtruar me shenja klinike të COVID-19 dhe janë në monitorim të plotë nga pediatri në gjendje të stabilizuar.

Dervishi tha rasti i foshnjës 2-muajshe me COVID-19 është i pari në Shqipëri kur një fëmijë paraqitet me shenja klinike dhe shtrohet në spital me temperaturë. Sipas saj, që nga nisja e pandemisë në vendin tonë janë infektuar me COVID-19, 125 fëmijë.

Epidemiologia e lidhi numrin e shtuar të rasteve me COVID-19 në vendin tonë gjatë javëve të fundit me lehtësimin e masave pas karantinës, e shoqëruar kjo edhe me ulje të vigjilencës nga ana e qytetarëve për zbatimin e masave mbrojtëse.

“Duhet të ketë një rritje të ndërgjegjësimit për të respektuar masat që janë fare të thjeshta. Është i detyrueshëm përdorimi i maskave në ambiente të mbyllura, virusi është mes nesh. Pas periudhës së karantinës ka ndodhur e kundërta, nuk kemi pasur respektim të masave mbrojtëse”, u shpreh ndër të tjera ajo.

Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë identifikuar 90 raste pozitivë me koronavirus dhe 3 persona kanë ndërruar jetë. Ndërkohë në spitalin infektiv po marrin trajtim 80 pacientë, mes të cilëve edhe foshnja 2-muajshe. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com