Loading...

“Virusi po gjen terren në mosrespektimin e masave”, Tomini: Më mirë të mbajmë distancën, sesa të rikthehemi në izolim

Ruani distancën e sigurisë dhe zbatoni protokollin e sigurisë. Kjo është thirrja e Eugena Tominit, shefe e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik.

Ajo theksoi se me procesin e hapjes, pas izolimit gati dymujor pritej një rritje e përhapjes, por duhet vëmendje dhe zbatim masash, pasi virusi ka gjetur terren në mosrespektimin e masave.

“Virusi ka gjetur një terren përkundrejt mosrespektimit të masave të sigurisë. Ka një trend në rritje të rasteve pozitive. Pritshmëria ishte e tillë me rihapjen e biznesit. Më mirë t’i rikthehemi kujtesës se si ishte karantina, dhe të mbajmë distancat e sigurisë, sesa të rikthehemi në izolim”, – bëri thirrje Tomini.

“Kemi një zhvillim fiziologjik të virusit. Të gjitha masat që janë marrë, karantinë, masat e etiketës respiratore janë për të parandaluar përhapjen e virusit. Ne duhet të vijojmë të mbajmë masat për të minimizuar përhapjen, virusi do kryejë procesin e tij fiziologjik, por përmes masave, pa u kthyer në izolim do të ulim në minimum përhapjen. Spitali Infektiv ku po përballemi me fluksin aktual, i ka kapacitetet e duhura. Duhet të theksohet se në dhjetë ditët e fundit, kemi mbi 60% e rasteve që kanë pasur simptoma dhe kanë pasur dhe sëmundje shoqëruese. Këta të fundit në varësi të problematikës janë hospitalizuar. Duhen respektuar masat. Është shumë e rëndësishme kjo gjë”, – vijoi Tomini.

“Nuk do ta quaja valë të dytë, do e quaja një intensitet në rritje të COVID-19. Të gjitha pikat e kalimit kufitar, ato ajrore apo edhe detare, është e rëndësishme të respektojnë të gjitha protokollet e sigurisë dhe të evidentojnë menjëherë elementët që mund të shfaqin simptoma. Lëvizshmëria e qytearëve është e rëndësishme për të gjitha vendet, sidomos tani në periudhë sezoni turistik”, – shtoi Tomini.

Sa i takon të shtruarve në spital, Tomini tha se 20% e pacientëve janë pacientë që menaxhohen me një shërbim normal, ndërsa pjesa tjetër ka sëmundje të shtuara dhe kanë nevojë për një trajtim më të specializuar dhe më intensiv. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com