Rreth 60% e fermerëve në 12 qarqet e vendit kanë aplikuar në Skemën Kombëtare 2020, për të përfituar subvencione në blegtori.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, bën të ditur se, 4 mijë e 700 fermerë kanë aplikuar për të përfituar nga masa e mbështetjes për blegtorinë nga 7 434 që është numri total i aplikimeve që kanë kryer deri tani fermerët në shkallë vendi.
Fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2020 adreson mbështetje financiare të drejtpërdrejtë për blegtorët duke i subvencionuar ata për krerë bagëti.
Skema Kombëtare 2020 adreson mbi 65% të fondit të saj në financimin e fermerëve për fermat me jo më pak se 70 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1 200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 lekë për subjekt, ndërsa për fermat me jo më pak se 5 krerë lopë, në vlerën 10 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt.
Gjatë vitit që lamë pas fermerët përfituan subvencion për çdo faturë të shitjes së qumështit te grumbulluesit. Në 2019, fermerët blegtorë përfituan në total 40 milionë lekë përmes skemës së qumështit me 10 lekë për litër.
Aplikimet në Skemën Kombëtare të mbështetje në Bujqësisë 2020 u çelën në 16 maj dhe mbyllen në 19 qershor. /atsh