Pas shtimit të pacientëve në spitalin COVID1, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vizituar sot stafin mjekësor të Spitalit Infektiv në QSUT, për t’i mbështetur për punën që po bëjnë dhe për t’i inkurajuar për përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID19.
“Aktualisht situata epidemiologjike na referon disa momente të rëndësishme të cilat vlejnë për t’u analizuar. E para që në këto dy javë që sigurisht është edhe një efekt i hapjes dy javë më parë, ka raste simptomatike më shumë të shfaqura se dy javë më parë. Virusi ekziston, nuk është zhdukur, pavarësisht se të gjithë e duam të eliminuar. Por ne duhet që të vijojmë të bëjmë detyrën tonë, si Ministri Shëndetësie, ju si mjekë padyshim”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë bëri apel për qytetarët për respektimin e masave të distancimit fizik, për të kufizuar përhapjen e COVID19.
“Jemi përpara hapjes së transportit publik, që është një risk tjetër që duhet të marrim parasysh, ku vendosja e maskave është e detyrueshme, kushtet e higjienës patjetër. Por në të gjithë aktivitetet duhet të jetë ky kujdes, jo vetëm në ato të cilat do të lejohen të hapen”, tha Manastirliu.
Shefja e shërbimit infektiv, prof. Najada Çomo tha se ka një rritje të numrit të të shtruarve gjatë ditëve të fundit, por dha edhe lajmin e mirë që falë punës së stafit, një pacient ka dalë nga intubimi.
“Ky është një lajm shumë i mirë. Unë jam shumë e kënaqur që po bëhen hapa përpara dhe kam qenë gjithmonë besimplotë që nga dita e parë që kam shkelur në këtë spital që këtu mjekët bëjnë të pamundurën dhe e tregojnë çdo ditë profesionalizmin e tyre. Është gjithmonë një lajm i mirë kur mjekësia ja del. Ndaj edhe njëherë shumë falenderime për të gjithë sakrificën edhe profesionalizmin që keni treguar për gjatë gjithë kësaj kohe dhe e tregoni në fakt në çdo ditë të vitit”, tha Manastirliu./atsh