“Kemi marrë dje një lajm shumë të mirë nga tregjet e kapitaleve dhe fakti është që kemi arritur një rezultat që na inkurajon jashtëzakonisht shumë dhe që garanton planin e ri kombëtar “Shqipëria 2030”, për një transformim të mëtejshëm ekonomik dhe social duke adresuar rindërtimin, rimëkëmbjen, sepse Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera, del nga dy goditje njëra pas tjetrës, si dhe ambicien tonë për një shtysë të fortë përpara të ekonomisë dhe punësimit në vitet e ardhshme”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.
Kreu i Qeverisë u shpreh se “sapo të jemi gati, në javët në vijim do të paraqitet plani i ri kombëtar, që nuk do të jetë program zhvillimi në letër, aq më pak një strategji në një dokument që duhet përkthyer pastaj në masa, por do të jetë një plan veprimi i kalendarizuar në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë”.
“Ajo që ka ndodhur dje me Shqipërinë në tregjet e kapitaleve është faktikisht ajo që ndodh me çdo vend kur del në tregjet e kapitaleve, që merr vlerësimin për situatën në aspektin e të gjithë parametrave ekonomikë. Po ashtu është shumë e rëndësishme të nënvizohet se merr vlerësimin lidhur me riskun”, – theksoi Rama./atsh