Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini përmes një reagimi zyrtar e ka cilësuar protestën e fundit të maturantëve të stisur prej opozitës duke dënuar njëkohësisht edhe gjuhën e përdorur kundrejt saj, si rrezik për të mbjellë në të ardhmen një segment antishqiptar tek të rinjtë.
Shahini thotë se përfaqësues të opozitës, deputetë të dorëhequr, këshilltarë e ish-këshilltarë të tyre bashkë me portalet e tyre kanë kritikuar prejardhjen e vetë ministres duke shfaqur përçmim ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Nuk e kam kuptuar kurrë se si disa përfaqësues të opozitës, deputetë të dorëhequr dhe në shërbim, këshilltarë dhe ish-këshilltarë bashkë me portalet e tyre, ia kanë lejuar vetes të më kritikojnë prejardhjen dhe dialektin, duke shfaqur përçmim ndaj shqiptarëve që flasin si unë dhe në veçanti ndaj kosovarëve. Të thuhet “Kthehu prej nga ke ardhur!” ka qenë e papranueshme gjithmonë, por t’i thuhet një shqiptari me prejardhje nga Kosova në 2020-ën, është skandaloze!
Ky sentiment antishqiptar, gati racist i disa opozitarëve, është në mospërputhje të plotë me realitetin e një shkëmbimi dhe bashkëveprimi serioz të bashkëkombësve tanë në të gjithë rajonin. Qytetarët e Shqipërisë ndajnë të njëjtin gëzim që kam edhe unë për faktin se shqiptarët janë sot më të bashkuar se kurrë, një prej dëshmive të së cilit është padyshim edhe prezenca e ministrave me prejardhje nga Kosova në qeverinë e Republikës së Shqipërisë”, tha ministrja.
Shahini thotë ndër të tjera se opozita është e dëshpëruar nga mungesa e përkrahjes së popullit dhe mungesa e argumenteve kundër qeverisjes së mazhorancës në arsim.
“E shoh të arsyeshme të reagoj tani, sepse në protestat e fundit të stisura nga opozita kundër provimeve kombëtare, dëgjova edhe disa të rinj duke artikuluar frazën e ulët “Kthehu prej nga ke ardhur!”. Është tejet e rrezikshme për të ardhmen e popullit tonë nëse mbjellim sentiment antishqiptar tek të rinjtë. Tani, unë nuk mendoj se opozita është seriozisht antishqiptare. Ajo është thjesht e dëshpëruar nga mungesa e përkrahjes popullore dhe mungesa e argumenteve kundër qeverisjes së PS në arsim.
Ata janë të vetëdijshëm se përderisa me qeverisjen e tyre kanë jetësuar dhe mundësuar shitblerjen e diplomave fallco, nuk kanë argumente të kritikojnë standardin që po kërkojmë ne në arsimin e lartë. Partia që ka shitur vendet e punës për mësuesit nuk ka fytyrë të kritikojë depolitizimin e punësimit të mësuesve përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”. Partia, e cila përmes “altertekstit” ka çoroditur totalisht shkollat shqiptare për gati një dekadë dëmi i të cilit po merr edhe një dekadë shtesë të riparohet nuk ka se si të kritikojë politikën e librave falas nga botuesit më të mirë botërorë, që po u jepen tashmë falas 2/3 e nxënësve të arsimit parauniversitar”, u shpreh Shahini.
Ministrja theksoi se “nga frustrimi i mungesës së argumenteve reale kanë vendosur të reduktojnë gjithë kritikën e tyre në krijimin e “tjetrit” në këtë rast, ministri që flet ndryshe nga disa prej tyre – dhe ftesës për ta urryer atë. Kritikat ndaj qeverisjes janë legjitime dhe unë do të mbroj të drejtën e të rinjve për të protestuar. Por, nuk guxojmë të lejojmë që opozita të helmojë mendjet e brezave të rinj me antishqiptarizëm vetëm e vetëm sepse nuk kanë argumente reale kundër punës sime. Në fund, dëshpërimi i opozitës është problem ekskluzivisht i tyre dhe nuk duhet të lejojmë që të na çojë drejt një rruge të rrezikshme të përçarjes kombëtare”. /atsh