Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve mbi provimin e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë.
Gjatë takimit, nxënësit përcollën në detaje para ministres të gjitha shqetësimet e maturantëve për provimin e maturës, por gjithashtu i shprehën asaj keqardhjen e tyre për ato pjesë të degraduara të protestës para ministrisë, që nuk përfaqësonin nxënësit tanë.
Lidhur me pyetjet e shumëpërfolura si ajo me “Turin” apo mbi kuptimin e fjalës “dlirnja” të Poradecit, rezultatet sipas ministres treguan se mbi 10 mijë maturantë kishin gjetur përgjigjen e saktë tek secila. “Kjo do të thotë qartë se këto pyetje nuk kanë qenë me probleme, pasi siç na informon edhe QSHA, të tilla konsiderohen pyetjet me nën 10% përgjigje të sakta”, u shpreh ajo.
Në takim, Shahini ka siguruar edhe një herë përfaqësuesit e Parlamentit të Nxënësve që me analizën përfundimtare të rezultateve, QSHA do të bëjë rishpërndarjen e pikëve nëse rezulton se testi ka patur vështirësi më të madhe se sa njohuritë e nxënësve./atsh