Shkolla 9-vjeçare “24 Maji” në qytetin e Vlorës do të ketë ambiente të reja për vitin e ri shkollor 2020-2021.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, inspektoi sot punimet për rikonstruksionin e kësaj shkolle, ndërsa theksoi se “është një nga projektet e rëndësishme ku bashkia e Vlorës është kontributore me fondet e saj në 50% të këtij investimi kaq të rëndësishëm, i cili është realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë”.
Sipas tij, pas rikonstruksionit të shkollës, e cila do jetë e përfunduar në fund të qershorit, do të jetë nga projektet e rikonstruksionit të shkollave model në të gjithë territorin e bashkisë së Vlorës dhe jo vetëm.
Sot, vijoi Leli, po inspektojmë punimet në shkollën “24 Maji” që është një nga më të rëndësishmet e qytetit me një pozicion tërësisht qendror dhe projekti po realizohet me standarde të larta.
“Në shkollë janë të vendosura edhe shkallët e sigurisë, të cilat janë të aplikuara në këtë shkollë si një rritje e standardit të sigurisë së jetës së nxënësve dhe mësuesve të kësaj shkolle. Në pjesën pas oborrit të shkollës janë dy fusha të mëdha sportive, një fushë futbolli dhe një tjetër multifunksionale. Kemi rënë dakord me përfaqësuesit e firmës për ta realizuar që të jetë një fushë volejbolli dhe tenisi e hapur jo vetëm për fëmijët e kësaj shkolle, por edhe me iniciativën e shkollës komunitare të përdoret nga gjithë fëmijët e zonës ku është e vendosur shkolla”, – nënvizoi Leli.
Kryetari Leli u shpreh se “ka përfunduar instalimi i sistemit për rrezikun e zjarrit, sistemi i zjarrit për të garantuar kushte optimale të mësimdhënies gjatë sezonit të dimrit. Do të punohet me gjelbërimin, ka përfunduar fasada dhe sistemi i të gjithë hapësirave të tjera dhe palestrës së mbyllur të shkollës”.
“Punët tona të përditshme janë të drejtuara drejt përgatitjes së Vlorës për sezonin turistik që presim të jetë i suksesshëm, aq sa kushtet COVID-19 do të na lejojnë që ta kemi. Por nuk janë jashtë vëmendjes tonë objektet që po restaurohen dhe punët e tjera publike që po kryhen në bashkinë e Vlorës”, – tha Leli./atsh