Trajneri i Kombëtares shqiptare të Futbollit, Edoardo Reja është rikthyer të flasë për futbollin e luajtur tashmë që kampionatet kryesore në Europë kanë nisur.
Për radion napoletane “Kiss Kiss”, Reja ka folur për ish-skuadrën e drejtuar prej tij, “Napoli” si dhe për Elseid Hysaj, mbrojtësin e “Napolit” dhe kombëtares shqiptare.
“Për Elseid Hysajn kam një dashuri të veçantë, me mua është sjellë shkëlqyeshëm. Ai shënoi edhe një gol të jashtëzakonshëm, që përsëritet vazhdimisht në televizionet shqiptare. Me Gattuso ka gjetur vazhdimësi aktivizimi. Te ‘Napoli’ do të vijë një tjetër shqiptar, Rrahmani. Klubi bëri mirë me këtë lëvizje. Nëse luan me tre në mbrojtje, është një blerje e shkëlqyer”, ka thënë Reja.
Reja ka folur edhe për finale e Kupës së Italisë mes “Napolit” dhe “Juventusit”. “Më në fund kthehemi të flasim për futbollin e luajtur. Të mërkurën do të shohim një ndeshje të bukur. Duke parë ‘Napolin’ në finalen e Kupës së Italisë është një arsye kënaqësie për ne, që kemi qenë pjesë e klubit”, është shprehur Reja.
“Tani, ‘Napoli’ po ndjek edhe zonën europiane përmes kampionatit, ka vazhduar Reja në “Radio Kiss Kiss”. Një objektiv i paimagjinueshëm për mënyrën sesi e filloi këtë sezon. Me trajnerë Sarrin, Mazzarri, Benitez dhe Ancelotti, skuadra ka qenë gjithmonë konkurruese. Rritja ka qenë konstante që nga Seria C”.
Reja ka bërë një parashikim edhe për finale e Kupës së Italisë: “Zemra më rreh për ‘Napolin’, por ndaj ‘Juves’ do të jetë shumë e vështirë”./atsh