Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me kundërshtitë e shprehura pas marrëveshjes së arritur një ditë më parë nga Këshilli Politik për reformën zgjedhore.
Rama shprehet se “padyshim që s’jam dakord me ata që thonë se marrëveshja e re me Lulzim Bashën ishte një humbje për të, se gjoja hoqi dorë nga kauza dhe nuk fitoi asgjë!”.
Kreu i Ekzekutivit nënvizon se ndonëse kauza ishte imagjinare, marrëveshja është konkrete.
Ai thekson se marrëveshja e re konfirmon se humbja e PD në 2017 s’kishte lidhje me marrëveshjen e parë dhe as me integritetin e zgjedhjeve.
“ Jo, sepse kauza ishte imagjinare, kurse marrëveshja është konkrete – pas djegies së kohës, mandateve, bashkive është një rikthim në realitet. Por marrëveshja e re ka edhe anën tjetër pozitive, që konfirmon se humbja e PD në 2017 s’kishte lidhje me marrëveshjen e parë dhe as me integritetin e zgjedhjeve, përderisa administrimi zgjedhor ekzistues mbeti kusht i panegociueshëm i LBPD, edhe në zhgjëndrrën pa qeveri teknike”, deklaron Kryeministri Rama.
Në një reagim Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi tha se “nuk do ketë më mundësi t’i fshihet kushtit nr.5 të BE për hetimin dhe dënimin e hajdutëve të zgjedhjeve të 2017-ës”.
“Mbrëmë i çmontuam kapjen e komisioneve zgjedhore. Bashkë me shqiptarët do të mbrojmë çdo votë dhe do të fitojmë!”,- tha Bardhi./atsh