Loading...

Reforma Zgjedhore/ Duhet të kemi konsensusin edhe të opozitës parlamentare të votojë një marrëveshje që PS nuk e donte

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, pas një takimi në Kryesinë e Kuvendit me deputetë të opozitës parlamentare, se nuk ka arritur t’i bindë që të votojë Reformën Zgjedhore në Kuvend, por diskutimet vazhdojnë.

“Në fakt unë i mirëkuptoj përfaqësuesit e opozitës parlamentare. Ndjehen të përjashtuar, të fyer, për faktin që pasi janë denigruar dhe janë fyer në mënyrë sistematike nga ata që i kanë sjellë në parlament me firmat e tyre, gjenden përpara nevojës për të respektuar një marrëveshje që e konsiderojnë absolutisht të padenjë, dhe mbi të gjitha detyruese, nga jashtë parlamentit, për parlamentin. Megjithatë, ajo që mendoj se është e rëndësishme është se do të vazhdojmë të diskutojmë. Më vjen keq që dëgjova akuza edhe për tentativa blerjeje apo influenca jo korrekte mbi deputetët. Akuzat ishin në bllok për ata që janë jashtë, por edhe në adresën tonë”, tha Rama.

Ai theksoi se “i siguroj deputetët se ne nuk do të shkojmë në rrugën e një zgjidhjeje ku thjesht dhe vetëm do të kërkojmë aritmetikën, por do të shkojmë në rrugën e një diskutimi për të krijuar kushtet e një dakordësie”.

Rama tha se “qasja për të gjetur një marrëveshje lehtësuese dhe sa më qetësuese për kryetarin e opozitës, që e ka kronike frikën nga zgjedhjet, kishte synimin që të krijojë kushtet që të gjithë të jenë të përfshirë dhe të gatshëm që të hyjnë në ballafaqim me zgjedhësit”.

“Unë e kuptoj shumë mirë se ka një opinion të gjerë që e mendon se hapja e listave ka një efekt çudibërës mbi procesin demokratik. Unë nuk e besoj këtë, sepse mendoj se nuk ka ndonjë sistem, ndër sistemet zgjedhore, më demokratik se tjetri. Përfytyroni që këta njerëz që janë sot në parlament vijnë nga listat e PD-së dhe simotrës së vet të vogël LSI-së, dhe nëse lista do të ishte e hapur zgjedhja do ishte mes këtyre që janë këtu dhe atyre që ikën. Kjo do të ishte adresa e votës”, tha Rama.

Ai theksoi se “diskutimi është legjitim dhe do ta bëjmë këtë diskutim”.

“Kjo reformë duhej bërë më parë, duhej bërë me 2 shkallë dhe duhej garantuar marrëveshja për Kodin, pastaj ne jemi të hapur për të diskutuar dhe propozimet e tyre”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “me këtë Kod ne nuk shkojmë dot në zgjedhje, sepse sidoqoftë ka nevojë për disa ndërhyrje, ku kryesorja është që duhet të ndërhyjmë në Kod minimumi për të garantuar instancën e ankimimit, që faktikisht sot ka rënë”.

Për këtë arsye, Rama tha se “duhet të kemi edhe konsensusin e opozitës parlamentare”.

Rama tha se “ne kemi dakordësuar një marrëveshje për Reformën Zgjedhore dhe ajo nuk është marrëveshja që unë dhe PS do të donim”.

“Por duke qenë se synimi kryesor i asaj tryeze ishte gjithëpërfshirja dhe hapja e një rruge dialogu dhe krijimi i mundësive dhe garancive për opozitën joparlamentare që ka një problem, një psikozë të pangushëllueshme për zgjedhjet, atëherë ne pranuam që mbasi topi shkoi në fushën e Bashës dhe nuk po dukej gjëkundi, t’i themi ‘bëje si do ti’. Natyrisht ishte surprizë për të gjithë, kur tha se më e mira është kjo që kemi. Se, për çfarë ndodhën gjithë këto dhe u bë gjithë ky zinxhir çudirash, bëmash, krisjesh dhe jemi në këto kushte?” – tha Rama.

Ai tha se “ne duam që opozita parlamentare të kuptojë se ne jemi palë në atë marrëveshje dhe që ne nuk jemi këtu për ta vënë në diskutim dhe për ta përmbysur, por për ta kaluar”.

“Kuptohet se ne gjendemi mes dy zjarreve, sepse nga njëra anë kemi këtë marrëveshje dhe nga ana tjetër nevojën e votimit në parlament që kërkon më shumë vota sesa ne kemi”, tha Rama.

“Për ne, depolitizimi është një hap i madh para dhe absolutisht që do të ishte shumë më e lehtë sot edhe me këta që janë këtu nëse ne do të kishim depolitizim, sepse këta kanë të drejtë se thonë që sistemi i komisioneve partiake nuk i garanton aq dhe si duhet forcat më të vogla”, tha Rama.

Ai theksoi se ku ka vullnet ka gjithmonë një zgjidhje dhe do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje me dinjitet dhe të bëjmë të gjithë një sforco që të flasim më shumë me njëri- tjetrin.

Rama tha se “duhej ta merrte në konsideratë të futej edhe Basha në këtë proces, të bënte komunikim me ta, që i ka futur këtu në Parlament, pasi nuk është mëkat të bashkojmë forcat për të dhënë zgjidhje”.

“Por nëse i thashë Bashës bëj si të duash, po t’i them edhe Murrizit bëj si të duash, i bie të kemi dy kode, dy sisteme dhe dy shtete të ndryshme ku zhvillohen dy palë zgjedhje të ndryshme. Me gjithë respektin për Murrizin, unë dhe ata që janë në parlament i respektoj, edhe pse ka ndonjë profil karagjozi, por nuk është risi se nuk është se i kanë munguar parlamentit këta lloj. Mbi të gjitha nuk shoh ndonjë dallim të madh nga pikëpamja intelektuale mes atyre që ikën dhe këtyre këtu. Këtu ka më shumë zëra, pasi nuk ka një forcë të organizuar që përcakton qëndrimin. Këtu është një larmi njerëzish që janë bashkuar në këtë pikë, sepse nuk votojnë më ligje që lidhen me arsyen jashtë vetes, por një ligj që lidhet me veten e tyre. Mua më gjeti halli të gjej zgjidhjen mes Lulit dhe Myslymit”, tha Rama.

Duke folur për takimin për Reformën Zgjedhore në selinë e Ambasadës amerikane, Rama tha se “duke qenë se edhe takimin Luli e donte në një tokë neutrale, menduam se toka më e sigurt për Lulin është toka e SHBA-së, dhe ja dhamë edhe këtë mundësi që të lehtësonim frikën e tij”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com