Loading...

PS për 7 vite qeverisje ka zhvilluar luftë me krimin si asnjë herë më parë

“Partia Socialiste është sulmuar dhe përbaltur në mënyrë të shfrenuar nga një strategji e tërë politike kriminalizuese, e dini pse, pikërisht sepse ka qenë forca që i ka dhënë këtij vendi për afër 7 vite sot qeveri që e ka zhvilluar luftën me krimin si asnjëherë më parë”.

Kështu deklaroi sot në fjalën e tij në Kuvend, Kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur deputetit të opozitës Halit Valteri.

Kreu i qeverisë u shpreh se “patjetër opinionet e ndryshme janë ato që na ndihmojnë që të kuptojmë më mirë dhe të ecim më drejt përpara, por faktet nuk janë opinione. Doni s’doni ju dhe të gjithë ata që flasin si ju nuk ka asnjë krahasim të mundshëm mes Shqipërisë sot dhe Shqipërisë dje, jo Shqipërisë 100 vjet përpara, por 5-6 vjet përpara në aspektin në luftën me krimin. Është fakt i njohur nuk është opinion që kush e lufton seriozisht krimin akuzohet pikërisht për të kundërtën”.

Sipas tij, kush përballet seriozisht me krimin merr baltë dhe goditje pikërisht si bashkëpunëtor i krimit, kjo është e njohur botërisht.

“Kjo ka ndodhur kudo në çdo vend ku krimi është luftuar seriozisht”, shtoi Rama.

Më tej Kryeministri tha se “ndoqa me pezmatim këtë interpelancë jo se është e para, por sepse duke u përgatitur për të folur për raportin e progresit të BE-së siç është detyrimi në axhendën e sotme përsëri po mendoja lidhur me një debat që bëmë bashkarisht, zoti Valteri herën e shkuar apo në një nga herët e shkuara ku ju me të drejtë ishit të shqetësuar për dhunën dhe këtu ju sot bëtë dhunë, përsëri stimuluat dhunën, frymëzuat dhunën, ju dhatë të gjithë të rejave e të rinjve që mund të ishin duke ndjekur fjalën tuaj shembullin më të keq të mundshëm sesi njeriu qëndron në një mjedis public dhe mbron bindjet e tij”.

“Është e paimagjinueshme që një deputet të dalë në foltoren e Kuvendit të bëjë akuza penale të japë edhe deri detaje që lidhen me një hetim duke u shprehur se njeh vrasësit, njeh atentatorët, viktimat, njeh kush është me kapele e njeh kush është pa kapele e ndërkohë ende nuk keni shkuar në prokurori që të viheni në dispozicion të hetimit dhe të ndihmoni në zbardhjen e krimit”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “ju nuk jeni as i vetmi dhe ai i pari jeni thjesht zgjatimi i një falange që ka vite e vite që e ka marrë peng detain publik , e ka marrë peng edhe kulturën e parlamentarizmit duke mos e lënë të zhvillohet sipas standardeve europiane për të cilat të gjithë flasim dhe duke kriminalizuar dynjanë”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com