Loading...

PS, garante e Reformës në Drejtësi në Shqipëri

“Unë dhe Partia Socialiste jemi të vetmit garantë të Reformës në Drejtësi në Shqipëri”, deklaroi sot në mbrëmje Kryeministri Edi Rama.

Në një lidhje direkte me një studio televizive, Rama iu përgjigj pyetjes lidhur me deklaratën e pak kohëve më parë të ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim e cila foli për “një marrëveshje të fshehtë për të vrarë Reformën në Drejtësi”.

“Jo nuk kam asnjë koment, sepse mendoj se për sa më përket mua dhe për sa i përket Partisë Socialiste qysh në ditën e parë që është diskutuar për ta marrë këtë reformë dhe deri sot, unë dhe PS jemi të vetmit garantë të kësaj reforme, nuk ka asnjë garant tjetër në Shqipëri”, tha Rama.

Kryeministri komentoi edhe publikimin e mesazheve me një diplomat të huaj nga ana e Presidentit të Republikës, lidhur me çështjen e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.

Rama u shpreh sot se “bërja e mesazheve publike është një shëmti e madhe për çdokënd dhe jo më për kreun e shtetit që komunikon me një diplomat të nivelit të lartë”.

“Shëmti që ndodh vetëm në Shqipëri, askund tjetër nuk ndodh”, tha ai.

“Nuk kuptoj ku qëndron problemi në atë mesazh, sepse bëhej fjalë për të votuar në Kuvend, jo për të shtrembëruar apo deformuar kuadrin ligjor. Bëhej fjalë për votimin dhe qëndrimin politik të shumicës që unë drejtoj në raport me një çështje të caktuar që interpretohej në mënyra të ndryshme nga palë të ndryshme”, tha Rama./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com