Në Gjirokastër vijon aksioni për pastrimin e ambienteve publike, rrugëve dhe monumenteve të kulturës.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, tha se “për të disatën herë pastruam pirgje me plehra në zonën rreth kalasë dhe urës së Ali Pashës në ‘Dunavat’, monumente që vizitohen nga turistë”.
“I pastruam jo vetëm sepse kanë vizitorë, por sepse është e papranueshme që aty të dergjen plehrat ndërkohë që ka vende të caktuara për grumbullimin e tyre. Është detyrë e jona të pastrojmë qytetin, por edhe e juaja ta mirëmbani. Punë jonë nuk duket e as ka vlerë kur me papërgjegjshmëri individë të caktuar hedhin plehrat ku të mundin”, – theksoi Golemi.
Kryebashkiaku Golemi shprehet se kjo situatë nuk nderon askënd, përkundrazi na dëmton të gjithëve.
“Ne do të ashpërsojmë masat ndëshkuese për këdo që ndot ambientin dhe dëmton hapësirat e përbashkëta. Ju lutem tregohuni të përgjegjshëm”, – tha Golemi.
Ndërkohë që me iniciativë te Ministrise se Turizmit dhe Mjedisit dhe me mbikëqyrjen e institucionit të Prefektit të qarkut Gjirokastër, prej disa ditësh në këtë qark po zhvillohet aksioni për pastrimin e ambienteve publike, rrugëve nacionale dhe brigjeve lumore. Në këtë aksion janë përfshirë të gjitha njësitë vendore dhe institucionet shtetërore vendore në qark sipas planit të hartuar të pastrimit deri më 30 qershor.
Aksioni i pastrimit u përqëndrua dje në zonën e Furrës së Gëlqeres të bashkisë Gjirokastër ku nga ana e Drejtorisë Rajonale të Mjedisit janë grumbulluar të gjithë mbetjet e zonës përreth në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik verë 2020./atsh