Kryeministri Edi Rama përshëndeti arritjen e marrëveshjes për Reformën Zgjedhore në takimin e mbrëmjes së sotme të Këshillit Politik, me praninë e ambasadorëve të SHBA, BE, OSBE dhe Britanisë së Madhe.
“Pas 3 vjetësh marshim e 3 netësh ngujim na sollën fjalën e fundit: “Mirë e kishim ashtu siç e kishim”. Po mirë, unë kam menduar e mendoj që ka edhe më mirë, po meqë LBPD janë të kënaqur me kaq për zgjedhjet e ardhshme, bujrum, si ta duan ata”, u shpreh Rama.
“Rëndësi ka që: LBPD do hyjë në zgjedhje me Kodin Zgjedhor siç e deshën vetë. ODIHR është dakord që kjo nuk e cenon lirinë e zgjedhjeve. BE është e kënaqur, Shqipëria s’ka më pikëpyetje në prag të vendimit për datën e nisjes zyrtare të negociatave. Ah po, mbaroi edhe revolucioni”, u shpreh Kryeministri Rama.
Pas takimit të mbrëmjes së sotme, bashkëkryetari për Reformën Zgjedhore, përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri tha se Partia Socialiste ka hequr dorë nga depolitizimi i administratës zgjedhore, që PD të mos mbetet sërish jashtë zgjedhjeve.
Në një prononcim për mediat pas përfundimit të takimit ku palët arritën marrëveshjen për Reformën Zgjedhore, Gjiknuri tha se “ne nuk mund të linim sërish opozitën jashtë zgjedhjeve dhe t’i jepnim alibi asaj që të thotë se nuk e njoh ligjin zgjedhor”.
“Për ne është i rëndësishëm integrimi, aprovimi dhe pranimi i rregullave të lojës. Në fund të fundit mazhoranca është komode që me çfarëdolloj rregullash loje mjafton që palët politike të jenë komode, të shkojë në zgjedhje”, tha Gjiknuri.
“U dakordësuan për pikat që përgjithsësisht i ndanin palët, dhe një gjë dua të them pavarësisht se rekomandimi është që administrata të ishte e depolitizuar, dhe qëllimi i PS e qeverisë ishte që këtë rekomandim bazë ta çonte përpara, fatkeqësisht PD nuk ishte gati dhe e kundërshtoi”, tha më tej Gjiknuri.
Ajo çka fituam, nënvizoi ai, është se tashmë kemi rregulla të pranuara nga gjithsecili edhe me këtë adminsitratë që e kemi në fuqi.
“Sot që flasim, ajo çka u pranua nga palët është që administrata aktuale zgjedhore e balancuar politikisht do të funksionojë edhe në zgjedhjet e 2021. E rëndësishme është që PD hoqi dorë nga kërkesat absurde, nga qeveria teknike apo tranzitore për të administruar zgjedhjet. U pranua që administrimi zgjedhor nuk ka çaluar në Shqipëri. Përtej pretendimeve të ngritura dhe gjithë asaj lufte politike, më në fund u kthyen aty ku duhet të ishin te institucionet. E rëndësishme është që ne ta pranojmë dhe ta zbatojmë këtë sistem dhe në zgjedhjet e tjera, pasi në Kod do të parashikohen dispozita të fillojë depolitizimi”, u shpreh Gjiknuri.
“Ne do të përpiqemi që identifikimi biometrik të shtrihet në çdo qendër votimi, e rëndësishme është që nuk mund të mbahen zgjdhjet peng për shkak të teknologjisë dhe u pranua që administrata zgjedhore edhe kështu siç ka qene ka funksionuar”, u shpreh Gjiknuri.
Këshilli Politik, tha ai do të vijojë për çështjet e tjera ku përfshihet edhe sistemin zgjedhor.
“Këshilli Politik do të vazhdojë të miratojë draftet dhe të trajtojë edhe çështjet e tjera, si sistemi zgjedhor, ligji për referendumet, dhe për financimin e partive politike. Opozita dhe qeveria po dialogojnë, hoqën dorë nga alibitë dhe mbetet që të gjitha palët të përgatiten për zgjedhjet. Kodi do të mbyllet brenda këtij sesioni parlamentar. Nga buxheti i shtetit do të mundësohet identifikimi biometrik. Do të merrte një ekspert i huaj, nga BE për t’u konsultuar me KQZ”, deklaroi Gjiknuri./atsh