Loading...

Nisin eksportet e fiqve/ 1,82 tonë nga zona e Lushnjës drejt tregjeve të rajonit

Eksportet bujqësore kanë nisur mbarë edhe kulturën e fiqve.

Këtë vit, eksportet e fikut kanë nisur dy javë më herët se vitin e kaluar, ndërsa sezoni i prodhimit të bollshëm të fiqve të freskët, është nga vera, deri në vjeshtë, në varësi të varieteteve.

1,82 tonë fiq nga zona e Lushnjës, është sasia e parë që është eksportuar në tregjet e rajonit: Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Serbi gjatë pesë ditëve të fundit. Por eksportet e këtij produkti pritet të arrijnë në disa mijë tonë deri në fund të sezonit të prodhimit.

Në Shqipëri rriten disa lloje fiqsh, disa më të hershëm në prodhim e disa të tjerë më të vonshëm, kryesisht të bardhë dhe të zinj, si edhe varietete të fiqve më të vegjël, të quajtur rreka, të cilët dalin në treg në fund të verës.

Shqipëria renditet ndër vendet kryesore në botë për prodhimin e këtij fruti. Përmeti, Berati, Elbasani, por edhe Tirana dhe mjaft zona të tjera të Shqipërisë, sidomos asaj jugore, janë prodhuesit dhe kultivuesit kryesorë të fiqve shqiptarë, ndërkohë që një pjesë e mirë e fiqve vendas përpunohet për reçel, marmelatë, apo thahet për t’u përdorur gjatë muajve të tjerë të vitit./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com