Këshilli Politik ka përfunduar me konsensus takimin e sotëm për Reformën Zgjedhore, ku janë pranuar propozimet e opozitës për KQZ dhe i është hapur rruga diasporës për të votuar.
Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri tha pas takimit se “ramë dakord për të gjithë pikat e mbetura, qoftë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, qoftë për formulën e kompozimit, mandatet e KQZ-së dhe shumë elementë të tjerë që kishin mbetur në diskutim, ku përgjithësisht plotësuam kërkesat e PD-së për ato garanci që kanë ekzistuar te ligji aktual, pavarësisht se disa nga standardet e ODIHR kërkonin ndryshime”.
“Megjithatë për ne është më e rëndësishme që ligji zgjedhor të reflektojë shqetësim, frikërat apo të kaluarën e afërt të opozitës, në mënyrë që të shkojmë në zgjedhje me një ligj të gjithëpranuar”, tha ai.
Gjiknuri shtoi se “nga ana tjetër ekspertët morën detyrën që ta zbardhin këtë tekst dhe besoj se për 2-3 ditë teksti do të jetë i plotë dhe do t’i dërgohet Kuvendit, por nuk kemi më debate, pasi gjithçka është teknike puna e mbetur. Së dyti, kemi rënë dakord që për ligjin e ri zgjedhor që do të implementohet pas zgjedhjeve vendore të radhës, pra që hyn në fuqi pasi kalojnë dy palë zgjedhje, që ka të bëjë kryesisht me depolitizimin, mënyrën si do të administrohen zgjedhjet nga zyrtarë të departizuar, të depolitizuar menduam të çojmë një pjesë të dytë të legjislacionit shumë shpejt në Kuvend i cili do të marrë hyrjen në fuqi në një kohë të dytë. Pra legjislacioni do të jetë i plotë tani. Më vonë institucionet mund të fillojnë punën përgatitore, përfshirë dhe KQZ, por zbatimi i tij do bëhet pas tre vjetësh. Pra kemi rënë dakord edhe për këtë, për ta ndarë në amendime të Kodit aktual Zgjedhor dhe në një ligj të ri që bën të mundur implementimin e skemës me administrimin e depolitizuar të zgjedhjeve”.
“Ishte një punë e lodhshme. Negociata të vështira për shkak të klimës politike të krijuar dhe për herë të parë Shqipëria ndodhej në një situatë tripolare politike, ku ngociohej me njërën palë që është në Kuvend dhe palën tjetër që ka djegur mandatet. E rëndësishme është se kemi një ligj zgjedhor të gjithëpranuar, jo më i miri, jo me të gjithë standardet, por të pranuar nga të gjitha palët”, tha ai.
Bylykbashi-Vasili: U pranua propozimi ynë, Kodi Zgjedhor garanci që vota e shqiptarëve të mos tjetërsohet
Në një prononcim për mediet pas takimit të Këshillit Politik, përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi tha se, ramë dakord që KQZ mos të jetë një organ që të ketë persona që të jenë frenuar politikisht dhe nga ana tjetër një Komision Qendror të Zgjedhjeve i cili të jetë i kontrolluar nga mazhoranca pra dakordësia e datës 5 qershor do të jetë e plotë e pasqyruar në Kodin Zgjedhor.
“Opozita bëri të mundur që të gjitha garancitë për zgjedhësit shqiptarë dhe për subjektet zgjedhore që garojnë të jenë të plota dhe qeveria të mos ketë mundësi të preki administrimin e zgjedhjeve”, tha ai.
Po ashtu Bylykbashi tha se “diskutuam dhe një seri çështjesh të tjera apo pika të tjera që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE/ODIHR apo shqetësime që janë ngritur nga zgjedhjet dhe në ditë në vijim do të trajtohen dhe çështje me pas që tashmë janë trajtuara vetëm në aspektin teknik do të përfundojë draftimi i tyre me çështje që kanë të bëjnë me policinë, prokurorinë, ndëshkimin e krimeve zgjedhore që është dhënë dakordësia edhe për ato çështje. Unë besoj se me mbledhjen e sotme të Këshillit Politik, Kodi Zgjedhor do të ketë garanci shtesë që të bëjnë të mundur që vota e shqiptarëve të mos tjetërsohet.”
“Opozita do të bëjë të gjitha përpjekjet e saj që vota e ardhshme të garantojë rotacionin politik me votë drejtpërdrejt shqiptarëve”, tha ai.
Përfaqësuesi i LSI-së, Petrit Vasili tha se, “sot mbyllëm një fazë të rëndësishme dakordësie politike të cilës opozita i qëndroj deri në fund, pra respektoi marrëveshjen. Nuk u tërhoq nga marrëveshja, pavarësisht momenteve të vështira për ta penguar këtë marrëveshje dhe dha një provë të rëndësishme para shqiptarëve të integritetit politik dhe moral”.
“I hapet rrugë votës së diasporës”, Hajdari: PD kundër ndryshimit të sistemit, ka ende shpresë
Bashkëkryetarja e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore Rudina Hajdari tha se nga tryeza doli lajm i mirë për të plotësuar atë dëshirë të diasporës për të votuar, pra mund të jetë e mundshme që në zgjedhjet e ardhshme të kemi të drejtën e disaporës për të votuar në Shqipëri.
Pas mbarimit të mbledhjes së Këshillit Politik, Hajdari tha se “në mënyrën se si do të zbatohet është akoma për t’u parë, pra mundësi se vota e diasporës do bëhet realitet ka të bëjë me shumë hapa të tjerë të cilat do bien në përgjegjësinë e e qeverisë. Pra do të dalin shumë akte nënligjore, gjë që e bënë të thënë me të vërën të vështirë. Gjithsesi ky është një lajm i mirë dhe çështja e diasporës është marrë si çështje serioze dhe duhet përshëndetur”.
Hajdari theksoi se opozita jashtëparlamentare dhe kryesisht PD nuk ishte dakord për ndryshimin e sistemit.
“Po ashtu u ra dakord që i gjithë drafti që pati dakordësi të vijë në Komisionin e Reformës Zgjedhore ashtu siç u fut ky element për votën e e diasporës dhe të bëhet pjesë e komisioni, dhe presim të fusim dhe elementë të sistemit zgjedhor, por ajo që është e dukshme opozita jashtëparlamentare sidomos PD nuk pranojë të kemi dakordësi për ndryshimin e sistemit. Do t’i ngelet parlamenti në këtë moment pasi u arrit kjo marrëveshje, Rama-Basha të vijë në parlament dhe ne pasi t’i shtojmë ato elementë shtesë që i japin kësaj reformë një shtrirje më të gjerë nga mbështetja por dhe zgjedhje që janë të barabarta për qytetarët shqiptarë. Ka ende shpresë përsa i përket ndryshimit të sistemit dhe atë që unë dhe shoqëria civile kemi avokuar do të qëndrojmë stoikë në këtë kërkesë dhe do e shtrojmë në momenti që Kodi të vijë në komision për të bërë ndryshime dhe ne kemi të drejtën e vetos, pra kemi opozitën në komision. Do i shqyrtojmë të gjitha ndryshimet dhe ne do shtojmë ato elementë shtesë. Besoj se kjo do arrihet sepse votat janë të unifikuar të opozitës parlamentare kemi 39 vota kemi një kërkesë për të bërë ndryshime kushtetuese dhe po të merren të gjitha bashkë do kemi reformë të suksesshme, pa këto element do ngelemi në vend”, tha Hajdari./atsh